26 vite pas shpalljes së Pavarësisë së Maqedonisë, dilema kryesore vazhdon të mbetet nëse ky shtet është sa i maqedonasve aq edhe i shqiptarëve. Deputetët e përbërjes së parë parlamentare këtë periudhë e ndajnë në dy epoka, ajo para viti 2001 dhe epoka pas vitit 2001. Ish deputeti Hysni Shaqiri thotë se pavarësisht se Maqedonia është thirru në shtet demokratik, demokracia nuk ka prekur shqiptarët. Këtë fakt Shaqiri e argumenton me ngjarjet e dhimbshme që i kanë ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë gjithë këto vite.

Nëse flasim për Maqedoninë si shtet demokratik, për këtë mund të flasin vetëm maqedonasit por jo edhe shqiptarët, sepse shqiptarët për këto 26 vite nuk kanë përjetuar asnjë moment dhe asnjë përjetim të demokracisë, por përkundër kësaj kanë përjetuar vuajtje, persekutime dhe presion nga ana e institucioneve të këtij shteti. Presionin kishte nga policia, nga institucionet tjera por edhe ligjet dhe gjyqësia ka qenë shumë e padrejtë ndaj çështjeve të shqiptarëve për çështje të montuara, si pasojë e të cilëve shumë shqiptarë sot vuajnë burg të përjetshëm- deklaroi Ish deputeti Hysni Shaqiri.

Shaqiri shton se shqiptarët duhet qartësojnë pozicionin e tyre, duke ngulur këmbë në kërkesat e tyre dhe jo duke qëndruar inferior ndaj ofertave të imponuara. Nga ana tjetër, ish kryeparlamentari i parë i Maqedonisë, Stojan Andov duke dhënë rezyme të shkurtër të asaj se si erdhi deri tek pavarësimi i Maqedonisë, shqiptarët i konsideron si faktor për mbijetesën e shtetit. Andov shton se shqiptarët nuk duhet të shohin vetën nga prizmi i të tjerëve, ndërsa sipas tij ngecja më madhe ndër këto vite është shënuar në ekonomi e cila ka pasuar me kriza të njëpasnjëshme politike.

Njëra ndër arsyet kryesore pse nuk kishim proces ishte edhe qëndrimi i grupit parlamentar të PPD-së aso kohe. Ata në njëfarë mënyre na kishin thënë se nuk besojnë në një far Jugosllavie më dhe se nuk duan të jenë pjesë e një aventure të tillë. Më pas për këtë arsye Jugosllavia nuk e njohu pavarësinë e Maqedonisë. Kishim shumë pengesa të cilat pësuan më pas me çështjen e emrit. Sot është krejt ndryshe. Shqiptarët sot i kemi gjithkund. E kanë pranuar shtetin si të tyre deri në fund dhe janë instaluar në çdo organ. Më gëzon fakti se punojnë suksesshëm. Janë korrekt dhe serioz me të gjitha palët- deklaroi ish kryetari i Parlamentit, Stojan Andov.

Ndonëse shqiptarët e Maqedonisë në vitin 1991 nuk e kishin të qartë pozicionin e tyre ndaj prishjes së Jugosllavisë dhe shpalljes së Maqedonisë si e pavarur, duke mos ndjekur kështu shembullin e Kosovës, konflikti i vitit 2001 dha shkëndijat e para për riorganizimin e shtetit, konflikt ky i cili kishte për epilog avancimin e të drejtave të shqiptarëve, të drejta këto të cilat më pas u bën pjesë e një marrëveshjeje e quajtur Marrëveshja e Ohrit./alsat-m