Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot qëndroi për vizitë pune në Gjermani, në suaza të të cilës realizoi takim me nikoqirin e tij, ministrin federal gjerman të Punëve të Jashtme, Zigmar Gabriel.

Në takim me kolegun e tij gjerman, siç kumtoi MPJ, ministri Dimitrov e ka riafirmuar vullnetin e fuqishëm politik dhe aktivitetet e Qeverisë së re të Maqedonisë të drejtuara drejt kthimit të kursit evropian, përmes përmbushjes së reformave të nevojshme, me qëllim të përforcimit të procesit të integrimit tonë në BE dhe në NATO.

Ai i ka transmetuar edhe pozicionet e Republikës së Maqedonisë në lidhje me qasjen proaktive në politikën rajonale përmes nismave konkrete të Qeverisë së re për ndërtimin e marrëdhënieve të dialogut të hapur me të gjithë fqinjët tanë, duke vlerësuar se të njëjtat pa dyshim do të kontribuojnë për ardhmërinë evropiane në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk duam reforma të rrejshme, duam sistem të bashkimit dhe drenimit. Duam Maqedoni evropiane, qeverisje të të drejtës dhe sistem të meritave. Ashtu do t’i nxisim të rinjtë tanë të mbesin. Berlini e lëshojmë fuqimisht të inkurajuar, me mesazhe të mbështetjes së qartë për sfidat që na presin në këtë rrugë”, theksoi ministri.

Kolegu i tij gjerman Gabriel e riafirmoi mbështetjen gjermane në përmbushjen e prioriteteve strategjike të vendit tonë, duke potencuar se Gjermania do të vazhdojë fuqimisht t’i inkurajojë përpjekjet e Maqedonisë për integrim në BE dhe NATO. I ka përshendetur nismat tona kushtuar udhëheqjes së politikës së fqinjësisë së mirë, duke konstatuar se deri tani aktivitetet e ndërmarra janë konfirmim i padyshimtë të përcaktimit tonë për praktikimin e politikës evropiane në rajon.

Krahas takimit me ministrin Gabriel, Dimitrov ka pasur takim edhe me këshilltarin për politikë të jashtme dhe siguri të kancelares gjermane Angela Merkel, Kristofer Hojzgen, ndërsa ka realizuar takime të ndara edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Fondacionit “Konrad Adenaur”, Gerhard Valers, si edhe me përfaqësuesin e lartë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Fondacionit “Fridrih Ebert”, Rolf Micenih.

Vizitën në Berlin, ministri Dimitrov e ka përmbyllur me fjalimin në  tink-tenk organizatën gjermane me renome “Shoqata gjermane për politikë të jashtme”, me temë “The New ,Macedonian’ Moment for the Western Balcans?“.