Qyteti i Durrësit është tronditur ditën e sotme nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Romanat të këtij qyteti.

Tre trinjakë, të moshës 3 vjeç kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit të rënë në shtëpinë e tyre.

Nga të dhënat e para mësohet se e ëma e viktimave ka rrëfyer në polici se i kishte lënë fëmijët vetëm në shtëpi, pasi ishte larguar për disa punë.

Kur është kthyer, ka parë që shtëpia kishte marrë flakë, si dhe fëmijët e saj ishin djegur, duke humbur jetën.

Po ashtu, në momentin që ka rënë zjarri në shtëpi nuk ka qenë as babai i fëmijëve, Gëzim Konçi.

Ende nuk ka të dhënë të sakta për shkaqet e zjarrit, por dyshohet se fëmijët kanë qenë duke luajtur me shkrepëse, gjë e cila ka shkaktuar edhe rënien e zjarrit. Familja Konçi është banore e zonës dhe përveç trinjakëve të seksit mashkull ka edhe dy vajza të tjera më të rritura.

Mësohet se trinjakët kanë lindur në Itali dhe të tre vuanin nga probleme shëndetësore me zemrën.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, ku ka nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.