Dy policë dëshmuan në gjykimin e Granit Elshanit që akuzohet për vrasje dhe vepra tjera.

Në gjykimin e Granit Elshanit që akuzohet për vrasje të Besart Shabit, tri vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshmë dhe armëmbajtje pa leje, dëshmuan dy policë.

Njëri nga dëshmitarët e kishte intervstuar Granit Elshanit pas të shtënave natën e dytë të janarit 2010 në Diskotekën “City Club” në Pejë, ndërsa tjetri bashkë me krim-teknikën kishte dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur si prova gëzhojat dhe armën.

Polici Shpejtim Tafili që mori në pyetje Granit Elshanin, pasi Elshani u dërgua në stacionin policor, tregoi se e intervistoi për armëmbajtje pa leje.

“Pasi është sjellë Graniti në stacionin policor, së bashku me një koleg e kemi intervistuar Granitin si të dyshuar për armëmbajtje pa leje “, tha dëshmitari Tafili.

Prokurori pastaj i kërkoi Tafilit që ta lexonte deklaratën që Granit Elshhani e dha në polici pasi ndodhën vrasja dhe plagosjet në diskotekë dhe jashtë saj.

Granit Elshani atëherë kishte thënë se jeton në Zvicër pa status qëndrimi, ndërsa në Kosovë, sipas deklaratës kishte ardhur një javë para të shtënve në “City Club”.

Më tutje Elshani kishte thënë se ditën kritike ishte nisur për të shkuar te khalla e tij për ta vizituar, ndërsa rrugës e kishte gjetur një pistoletë.

“Kam udhëtuar trup fushave dhe diku ne Nabergjan, të mbështjellë me një qese kam gjetur një pistoletë të cilën edhe e kam marrë. Te halla kam arritur në orën katër dhe kam qëndruar aty deri sa ka ardhur policia”, kishte thënë Elshani.

Ai më tutje kishte dhënë versionin e tij pse e kanë sjellë në polici.

“Kam qenë duke fjetur dhe nën jastëkun ku po flija kanë gjetur revolen e zezë, prandaj edhe me sollën këtu”, përfundoi leximin e deklaratës së Elshanit, dëshmitari Shpejtim Tafili.

Pastaj dëshminë e dha edhe një koleg i Tafilit- Ismet Fetaj.

Fetaj u pyet nga prokurori Andreë Hughes se cilat ishin detyrat e tij në lidhje me vrasjen dhe palgosjet e 2 janarit 2010.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe ëe bashku me ekipin e krim-teknikës kemi bërë ekzaminimin e provave materiale, kemi marrë gëzhojat në vendin e ngjarjes dhe në trup të viktimave të rastit. Detyrë tjetër e imja ka qenë që armën dhe gëzhojat t’i dërgoja në laboratorin e kriminalistikës”, tha Fetaj.

Të enjten prokurori Hughes ia kishte prezantuar në gjykatë armën e konfiskuar pas të shtënave në diskotekë policit Riza Mahaj, i cili e kishte konfiskuar atë.

Mahaj tha se arma e prezantuar para tij ishte e njëjta të cilën e kishte konfiskuar mëngjesin e 3 janarit 2010, ndërsa Granit Elshani mohoi se kjo armë i ishte marrë atij ditën kur u arrestua.