Një deputete australiane ka “hapur zemrën” me disa deklarata lidhur me momentin kur kuptoi se martesa e saj kishte marrë fund, pasi zbuloi disa foto pornografie me fëmijë në kompjuterin e bashkëshortit.

Rachel Carling-Jenkins, e cila përfaqëson konservatorët australianë në Viktoria, foli në parlament lidhur me momentin e saj më të vështirë në jetë.

Ajo tha se kishte dyshime se bashkëshorti i saj Gary e tradhtonte dhe kërkoi ndihmën e të birit 18-vjeçar (Terrence) për t’i kontrolluar laptopin.

Ajo dyshonte se i shoqi kishte një lidhje jashtëmartesore, por ajo që zbuloi ishte shumë më shokuese për të.

Në një prononcim për “BBC Ëorld”, ajo tha se “me t’i parë ato imazhe në kompjuter martesa ime mori fund. Nuk kishte të bënte me mua apo me të”.

Deputetja sqaroi se gjithçka kishte rëndësi pas atij momenti ishin ato vajza që ishin abuzuar për atë treg.

Lidhur me ato që i kishin thënë se duhej t’i kishte qëndruar në krah të shoqit dhe e kishin kritikuar se e kishte paditur në polici, ajo  tha “gjithçka mund të them është se nëse ka gra të tjera në një situatë të njëjtë, ngrihuni!”

“Po është e vështirë… humbisni martesën, humbisni shtëpinë siç e humba unë, por ia vlen. Duhet të ngrihemi kundër kësaj të keqeje në shoqëri.”

Duke folur për momentin që kishte zbuluar fotot e fëmijëve të abuzuar në kompjuterin e bashkëshorit, Carling-Jenkins tha: “ Ndihesha e shkatërruar. Qaja dhe ulërija.”  Ajo tha se ndihej keq edhe për të birin, i cili po ashtu ishte shumë i zemëruar.

Deputetja nuk foli me të shoqin para se të shkonte në polici, ku më pas ai u dënua me burg për posedim të fotografive të abuzimit me të mitur në muajin Mars.