Debati televiziv i së dielës mbrëma, mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe sfidantit të saj më të madh në zgjedhjet e 24 shtatorit, Martin Shculz, përshkruhet si shansi i fundit i socialdemokratit për të shpëtuar fushatën e tij zgjedhore.

Schulz, që e akuzon shefen e ekzekutivit se i ka vënë në gjumë votuesit me përgjigjet e saj evazive, ku shmanget marrja e angazhimeve konkrete, do të ndeshet verbalisht me të, gjatë 90 minutave të përballjes së vetme televizive mes tyre, përpara se gjermanët t’i drejtohen qendrave të votimit.

Ish kreu i Parlamentit Europian ka shumë shpresa tek të pavendosurit dhe uron të tërheqë nga vetja miliona zgjedhës, duke i dhënë fund kështu një rënieje shkatërrimtare të popullaritetit.

Schulz pati një dallgë të jashtëzakonshme mbështetjeje pas marrjes së frerëve të SPD -së në muajin janar, por i gjithë ai entuziazëm u venit shpejt dhe debatin ai e nis në pozitat e humbësit.

Gati dy të tretat e gjermanëve të pyetur nga kanali televiziv ARD e shohin që tani Merkelin si fituese të zgjedhjeve. Kancelarja kryeson madje edhe në radhët e simpatizantëve të social-demokratëve.

Vetëm 17 % e gjermanëve me të drejtë vote mendojnë se Schulzi do të arrijë një rezultat të mirë në 24 shtator. Atë sidoqoftë nuk e nervozon përballja e së dielës me rivalen që deri më tani, e kishte refuzuar përfshirjen në një debat luftarak të këtij lloji.

“Nëse një fushatë elektorale përcaktohet si e mirë vetëm atëherë kur njerëzit kalojnë në fyerje kundër njëri-tjetrit, po jua them që tani se kjo nuk është aspak ideja që unë kam për fushatën”, pati thënë Merkel gjatë konferencës së përvitshme me shtypin, këtë verë.  /TopChannel/