Mësimdhënësit të cilët përdorin metodat e diskutimeve dhe debateve kishin nxënës me arritje më të mëdha. Në Maqedoni akoma dominuese janë metodat tradicionale të mësimit ku mësimdhënësi është bartës i njohurive, ndërsa nxënësi është pranues pasiv, tregojnë të dhënat e organizatës qytetare “Finance think” të cilët sot në tryezën e rrumbullakët të titulluar “Pesa në ditar – Njësha në PISA: Pesë prioritetet për përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor” e prezentuan hulumtimin e zbatuar për shkak të notave të dobëta të testimit të PISA.

Sipas, Ana Micovska-Raleva nga Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave e cila është pjesë e ekipit hulumtues, analiza e rezultateve PISA tregon se motivimi i nxënësve është instrumental, pasi që ata zakonisht mësojnë që të arrihet vlerësim i mirë dhe të kënaqen prindërit, dhe jo të mësohet për njohuri. Mësimdhënësit, thotë nuk ndjehen të konsultuar mjaftueshëm në reformat në arsim si dhe të papërgatitur mjaftueshëm për këto ndryshime.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Treneska-Deskovska në prezentimin e rezultateve tha se është e kënaqur që sektori qytetar është ai i cili i ofron analizat e qëndrueshme dhe profesionale, propozimet kreative dhe qasjen profesionale ndaj zgjidhjes së problemeve.

“Rekomandimet të cilat sot prezentohen prej hulumtimit përkojnë me planet dhe programin e Qeverisë së RM-së për reformat në arsim. Duke e pasur parasysh temën, jam e brengosur për shkak të arritjeve të dobëta në vazhdimësi të testimeve ndërkombëtare dhe mosndërmarrjen e deritanishme të aktiviteteve për përmirësimin e aspekteve të cilat janë meritore për rezultatet e dobëta të cilat duhet të jenë temë e një qasjeje serioze. Maqedonia deri më tani ka marrë pjesë në shumë matje ndërkombëtare me të cilat përcaktohet se ku është arsimi në vendin tonë dhe si është procesi arsimor kundrejt shteteve të tjera të cilat kanë arritje më të mëdha si dhe cilët janë faktorët të cilët ndikojnë mbi arritjen e nxënësve. Rezultatet e nxënësve të këtyre hulumtimeve në Maqedoni ishin nën mesatare”, tha Treneska-Deskovska.

Paralajmëroi se planifikojnë më shumë aktivitete prej të cilëve një pjesë janë ndryshime sistematike në procesin arsimor përmes ndryshimit të ligjeve dhe akteve nënligjore. Në pjesën e parë në të cilin tashmë kanë intervenuar është rritja e buxhetit për vitin 2018. Shumë prej punëve të cilat duhet të ndryshojnë, sipas saj, kanë të bëjnë me motivimin e nxënësve dhe mësimdhënësve, kreativitetin në punë dhe mësim, në nismën e inkluzivitetit të ndjekjes së trendeve bashkëkohore dhe shfrytëzimin e metodave bashkëkohore. Ministrja Treneska-Deskovska shtoi se për këto çështje nuk duhet ndryshim i ligjit por duhet ndryshim i marrëdhënies dhe i mendimit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Çarls Garet theksoi se e mbështet këtë debat për të cilin tha se do të ndihmojë në strategjinë nacionale për përmirësimin e arsimit fillor në Maqedoni.

“Kjo është detyrë e madhe dhe të gjithë kanë përvojë dhe interes. Nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit janë ata të cilët kanë si të kontribuojnë drejt këtij debati në përmirësimin e arsimit”, tha Garet.

Sipas tij studimi për cilësinë e arsimit do të jetë çelësi në sferën ku duhet të ketë përmirësim në zhvillimin e programeve shkollore, motivim, mësim dhe bashkëpunim në avancim.

Lidhur me tekstet shkollore, Ana Tomovska e Universitetit Amerikan Kolexh tha se të dhënat e hulumtimit kanë treguar se një pjesë e nxënësve duan tekste të cilat janë shkruar në gjuhë të kuptueshme, ndërsa një pjesë e tyre i perceptojnë se nuk janë shumë të qarta, se u janë stërngarkuar me fakte ose se kanë shumë pak informacione.

Planet mësimore, shtoi, të jenë të qarta dhe konkrete dhe të përshtaten me nxënësit me nevoja të ndryshme arsimore. Në mësim të shfrytëzohen metoda mësimore të cilat stimulojnë diskutime dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve në procesin mësimor.