Shpejtim Bulliqi, kryesuesi i Komisionit të ri për shënjimin e kufirit që është caktuar nga Ramush Haradinaj, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës se si u bë që ai të udhëheqë me komisionin e ri dhe çfarë kishte biseduar me kryeministrin Haradinaj paraprakisht.

Ai ka treguar se Haradinaj, ende pa u emëruar kryeministër, i kishte thënë se s’ka tjetër njeri që i beson më shumë në këtë çështje, prandaj do të donte që ai ta udhëhiqte komisionin në qeverinë e tij eventuale.

“Për këto dy vjet e gjysmë kemi qenë në grupin e atyre qe e kemi kundërshtuar versionin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe për këtë kemi dhënë arsyet tona. Për mua do të jetë një sfidë dhe për ekipin që do të bashkëpunojmë. Puna jonë që është bërë deri tani ka qenë profesionale, jo politike”, ka deklaruar Bulliqi.

“Me Haradinajn jam takuar edhe para se të zgjidhet kryeministër i vendit, kur kanë përfunduar zgjedhjet, ne kemi pirë kafe dhe kemi diskutuar për këtë çështje dhe më ka thënë se njeriut që do t’ia besojë këtë detyrë jeni ju. Unë sigurisht s’e s’kam pasur asnjë arsye që ta refuzoj. Tani na është krijuar mundësia që t’i paraqesim institucionalisht defektet dhe lëshimet që janë bërë ne Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë ai.

“Puna ime në këtë aspekt është tipike profesionale dhe s’ka të bëjë asgjë me politikë”, ka shtuar Bulliq, duke deklaruar se ai është punësuar si profesionist dhe jo si politikan.
“Unë ende jam në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por punën do ta bëjë profesionalisht, pasi qeveria e vendit tim ma ka kërkuar dhe unë jam në gatishmëri”.

“Cilido njeri që do të kërkonte punën time, Shpejtim Bulliqi si mësimdhënës si njeri që kuptoj nga kjo fushë do të kisha gatishmëri të bashkëpunoja për ta çuar këtë proces tutje”, ka deklaruar Bulliqi,