Një delegacion afaristësh nga Stambolli i Republikës së Turqisë, realizuan takim me Kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta. Në këtë takim u shqyrtuan mundësitë për investim të përbashkët të kompanive “2M Led” dhe “US”, në qytetin e Gostivarit.

Në takimin miqësor, Kryetari Bejta afaristëve nga Turqia u ofroi përkrahje të gjithanshme në realizimin e projektit të tyre, i cili pritet të kushton gati 3 milion euro me perspektivë pune për mbi 50 qytetarë në fazën e parë të fillimit me punë të kësaj fabrike në të cilën do të prodhohen llamba “LED” dhe kabllo elektrike.

Pasi mysafirët i njoftoi rreth projekteve të realizuara dhe për planet e së ardhmes në qyetetin e Gostivarit, Bejta tha se tashmë me disa komuna të Republikës së Turqisë është vendosur një bashkëpunim i fuqishëm.

“Në Gostivar funksionojnë shumë kompani me pronarë nga Turqia. Shembull i mirë është fabrika për prodhimin e tullave rezistuese “Vardar Dolomit”, që funksionon në suaza të ish fabrikës socialiste “Silika”. Isha deputet në Parlament në vitin 2002 dhe u angazhova  maksimalisht për konkretizimin e idesë. Kjo kompani tash funksionon me shumë sukses dhe prodhimet e veta i transporton jashtë vendit. Ka një fabrikë në fshatin Raven që merret ma tharjen e drurit. E transporton në Turqi për prodhim të parketit.

Funksionon edhe një fabrikë për prodhimin e sungjerit”, tha Kryetari Bejta, i cili delegacionit turk u premtoi përkrahje në procedurën e dokumentacionit si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror.

Jemi në shërbim të plotë të investitorëve, tha Bejta, duke shtuar se investimet në rajonin e Gostivarit janë më se të sigurta, dhe se prioritet i qeverisjes së tij mbetet ekonomia dhe punësimi.

“Në periudhën në vazhdim do të fokusohemi në hapjen e Zonave të Lira Ekonomike jashtë vendbanimeve në Çegran – Forinë, Çajlë -Balindoll, Banjicë e Poshtme dhe Epërme, Raven –  Vërtok dhe Debresh”, deklaroi Kryetari Bejta.

Serkan Coskum nga kompania 2M Led tha se në Gostivar shihnin potencial për punë “dhe ndjehemi si në shtëpinë tonë”, duke shtuar se me përpilimin e projektit, sigurimin e dokumentacionit, lejeve të nevojshme dhe lokacionit, do të fillojë puna në terren për të realizuar idenë e tyre.

Muslim Sevindik, drejtues i Kompanisë US, në takim potencoi që si avantazh për të investuar në Gostivar është afërsia me shtetet fqinje dhe shtetet evropiane.

“Ne këtu shohim mundësi ideale për shtrimin e biznesit edhe në shtetet e rajonit, prandaj jemi duke menduar seriozisht për të investuar në Komunën e Gostivarit”, tha Sevindik.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Rexhep Çelik si përfaqësues për çështje ekonomike të AK – Partisë të presidentit të  Rexhep Taip Erdogan në Komunën Ejup të Stambollit.

Çelik potencoi që ka qenë vendim i partisë dhe personalisht presidentit të Turqisë që të merren hapa konkrete për të investuar në Komunën e Gostivarit dhe Republikën e Maqedonisë.