Sot janë inspektuar punimet në rrugën kryesore të lagjes Xhamixhid në Gostivar, ku po kryet trasimi, nivelizimi, tamponimi dhe asfaltimi i plotë i saj. Me grupin e Komunës ishte dhe kryetari i Komunës së Goativarit z. Nevzat Bejta.
Bejta falenderoi punëtorët për përkushtimin në punën e tyre dhe bisedoi për punimet edhe me banorët e lagjes.
“Rruga juaj kryesore që ju lidh me urën dhe rrugën e re te qytetit, jo vetëm që po rregullohet, por po ndërtojmë gjithashtu kanalizim nëntokësor për ujërat atmosferike, do të vendosim trotuare në të dyja anët e rrugës, si dhe rinovohet ndriçimi publik,” tha z. Bejta.
Banorët shprehën mirënjohje për realizimin e këtij projekti. Në lagjen Xhamixhid, për shkak të ndërtesave kolektive, pritet të shtohen rreth 200 familje të reja.
Kryetari Bejta tha se deri tani është punuar për përmirësimin e Gostivarit të sotëm dhe se tani nis ndërtimi i Gostivarit të nesërm. Ai u premtoi banorëve se si pjesë e programit të ri do të parashikohet hapja dhe vazhdimi i rrugës drejt fshatit Zdunjë.
“Po ashtu, përreth lumit Vardar do të përgatitet projekt për gjelbërimin e hapësirës dhe përshtatjen e një pjese si vazhdim i shëtitores rreth lumit Vardar. Parashohim gjithashtu të plotësojmë kërkesat tuaja, duke ndërtuar një urë të re për këmbësorë mbi lumin Vardar, e cila do të lidhë dy lagjet Dutllek dhe Xhamixhid,” tha z. Bejta, i cili njoftoi edhe për asfaltimin e një pjese të rrugës që lidhet me rrugën e Dibrës, konkretisht në afërsi të Qendrës Tregtare ETC.
Komuna njofton se, nëse punët në rrugë vazhdojnë sipas planit të paraparë, rruga e re kryesore e lagjes Xhamixhid do të jetë në përdorim nga qytetarët brenda muajit shtator.