Pas një sezoni me mesfushorin Sergi Roberto në rolin e mbrojtësit të djathtë, Blaugranat kanë transferuar një specialist për atë pozitë që e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Barcelona më në fund ka zëvendësuesin e Dani Alves. Pasi e përdori për një sezon mesfushorin, Sergi Roberto, si mbrojtës të djathtë, duke mos dhënë rezultate pozitive, Barcelona ka gjetur specialistin për atë pozitë, ai është Nelson Semedo.

Katalunasit fillimisht menduan ta transferonin mbrojtësin e Arsenalit, Hector Bellerin, por pasi “Topçinjtë” i vendosën një çmim të lartë spanjollit, ata u hodhën në sulm për atë të Benficas, Semedon.

Ai u transferua në “Camp Nou” për 30 milionë euro dhe vetëm pas një muaji ka arritur të lë gjurmë me fanellën e katalunasve.

Semedo nuk ka zhgënjyer me paraqitjet e para për katalunasit dhe tani ai është zgjedhja e parë për trajnerin Ernesto Valverde.

Semedo ka luajtur deri më tani 400 minuta për Barcelonën, gjithsej pesë ndeshje, katër prej tyre si titullar – ndërsa ka fituar një penalti.

I shpejt, i përgatitur mirë fizikisht, i mirë teknikisht, i komunikueshëm me lojtarë dhe shumë efektiv me Leo Messin në krah – Semedo tashmë mund të thuhet se ka mbuluar hapësirën e lënë bosh nga Dani Alves.