Bastri Bajrami, ish-kryetar i Komunës së Haraçinës, nuk do të jetë kandidat i asnjërës nga partitë politike në zgjedhjet e 15 tetorit në Haraçinë. Në një deklaratë për gazetën KOHA, Bajrami ka konfirmuar se ditëve të fundit ka pasur ofertë serioze për kandidat në Haraçinë, megjithëse pas analizave, ka vendosur të refuzoj ofertat.
“Situata është përkeqësuar në Haraçinë. Përçarjet janë të mëdha. Në momentin që partitë shqiptare nuk arritën të koordinojnë veprimet në këtë komunë me nevoja të shumta, unë si Bastri nuk dëshiroj dhe nuk mund të jem pjesë dhe të thelloj më shumë ndarjet mes popullatës. Personalisht jam falënderues i partive që vlerësuan se unë jam kandidati që do u kthej krenarinë haraçinasve… Vazhdoj të mendoj se haraçinasit me mendje të kthjellët do të zgjedhin kandidatin më të mirë dhe nuk do të lejojnë të bëhen pjesë e skenareve vëllavrasës që dikush e dëshiron. Vlerësoj se ka ardhur koha për bashkimin e haraçinasve”, tha për KOHA ish-kryetari i Haraçinës.
Ndryshe, në vitin 2009, Bajrami arriti të fitojë kreun e Komunës. Gjatë mandatit të tij, Komuna e Haraçinës kishte realizuar disa projekte madhore për banorët. Në 2013, për pak vota nuk arriti të fitojë mandatin e dytë. (koha.mk)