Gazetari investigativ, Artan Hoxha i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares, Nisida Tufa në News 24 riktheu sot në vëmendjen e publikut operacionet policore të ndërmarra nga Policia e Shtetit në Elbasan.

Në qytete si Elbasani e më pas Vlora policia po kryen kontrolle të imtësishme, por Hoxha shprehet skeptik për suksesin e këtyre operacioneve. Duke u ndalur tek rasti i Elbasanit ai thotë se operacionet e policisë duhet të kalojnë në një nivel tjetër, pasi aty lufta mes bandave bëhet për kontrollin e linjës së heroinës që vjen nga Afganistani.

“Operacione të tilla, që duken më shumë si sezone mode ‘vjeshtë-dimër’ dhe një tjetër që ishte para ‘summer’, më ngjajnë me ato të viteve ’98 apo’ 99, të cilat që në emërtim kanë diçka që çedon. Sa i përket operacionit masiv në Elbasan, të gjitha kapacitetet policore u vunë në lëvizje për të bërë krehjen e gjithë qytetit, por mendoj që s’ka nevojë për këto krehje që bëheshin në ‘97 kur bandat ishin rrugëve. Atëherë po, kishte nevojë, sot jemi në një stad tjetër. Kemi folur për një lloj tjetër natyre krimi. Kemi thënë që Elbasani është nyje strategjike e degëzimit në rrugën ballkanike të heroinës afgane dhe Shqipëria është në çdo raport të BE, Interpol, Europol dhe DASH një linjë e rëndësishme e trafikut të heroinës që vjen nga Afganistani nëpërmjet Turqisë dhe ka si qëllim tregun italian dhe atë të BE. Beteja që zhvillohet në Elbasan zhvillohet për të marrë në dorë linjën e trafikut të drogave të forta. Nëse policia lufton kanabisin në territorin tonë këtu flasim për një tjetër nivel krimi”, tha gazetari Hoxha.