Programi për mandatin katëvjeçar në Likovë mban vulën e qytetarëve të kësaj komune. Në këtë Program janë përfshirë të gjitha kërkesat e banorëve dhe asnjë lëvizje nga ky Program nuk do ta bëjmë! Kështu ka thënë Erkan Arifi, kandidat i BDI-së për të parin e Komunës së Likovës në një intervistë për Lajm TV, ndërsa ka zbuluar motivin për kandidaturën e tij, si dhe ka theksuar projektet me të cilët do të nis mandatin nëse fiton besueshmërinë e qytetarëve.
“Programi ynë për mandatin 4-vjeçar mban vulën e qytetarëve të Likovës, sepse në takimet e përditshme që kishim me banorët, kemi evidentuar dhe regjistruar çdo kërkesë të tyre. Tashmë kemi pasqyrë reale për nevojat e banorëve të komunës sonë”.
Arifi ka thënë se tashmë me projektin e fizibiliti studimit për ujësjellësin në gjithëa fshatrat e Likovës, do ta ketë më lehtë për implementimin e ujësjellësve në vendbanimet e Komunës. Ai siguron se vitin e ardhshëm do të përfundojë faza e gypit kryesor të ujësjellësit për të gjitha fshatrat, ndërsa më pas – në secilën shtëpi të sillet dhe uji i pijshëm.