Kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme ka pritur në takime të ndara ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi dhe atë të Sllovenisë, Bojan Bertoncelj.

Ambasadorët e uruan Veselin, për zgjedhjen edhe për një mandat në krye të legjislativit të Kosovës.

Tutje, ata konfirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin e shteteve që përfaqësojnë me Kosovën dhe përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha fushat.
E ndërkohë kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart mbështetjen e Francës, Italisë dhe Sllovenisë për Kosovën në faza të ndryshme, duke theksuar nevojën e vazhdimit të kësaj përkrahjeje edhe në të ardhmen, si në afirmimin e mëtejmë ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, ashtu edhe në forcimin e demokracisë së brendshme dhe zhvillimin ekonomik.

Kreu i Kuvendit konfirmoi aspiratat euro-atlantike të shtetit të Kosovës dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë, në funksion të forcimit të paqes dhe zhvillimit të gjithmbarshëm rajonal.