Në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë me qeverinë e Maqedonisë për përforcimin e sigurisë kufitare dhe zbatimit të ligjit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhuroi pajisje për Ministrinë e Punës së Brendshme, Policinë  kufitare, për Ministrinë e Financave – Drejtorinë  e doganave dhe për Drejtorinë për Siguri nga rrezatimi. Pajisjet me vlerë prej 207.000 dollarë amerikane përfshijnë pajisje për parandalim të krimit, kompjuterë, automjete për patrullim dhe automjete për terren.

Pajisjet e dhuruara gjithashtu do të përmirësojnë aftësinë e këtyre tre agjencive për të kryer operacione parandaluese në kufi, për të luftuar krimin ndërkufitar dhe terrorizmin, për të detektuar rrezatim dhe identifikim të armëve për shkatërrim në masë dhe materialeve përkatëse.

“Ky është një shembull i bashkëpunimit tonë dhe unë mund të them se bashkëpunim të tillë kemi pasur me vite dhe t’iu inkurajojmë juve, por edhe fqinjët tuaj, që të punoni bashkërisht Maqedonia me Kosovën, Bullgarinë, sepse shumë raste kriminele të cilat i hasim, i kalojnë kufijtë, andaj është me rëndësi të ketë bashkëpunim rajonal dhe ne ju ndihmojmë, do ju ndihmojmë ta bëni këtë përmes programeve tona”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Jes Bejli.

“Donacioni i sotëm është i rëndësishëm për përforcimin e kapaciteteve të policisë ndërkufitare, sepse sigurimi modern i kufirit do të thotë hapje e kufijve për të mira materiale dhe njerëz, dhe kufi të mbrojtur për parandalimin e tregtisë jolegale dhe tregtisë me njerëz”,– tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Pajisjet e dhuruara do të mundësojnë përmirësim të kapacitetit të shërbimeve kufitare të Maqedonisë, kontroll profesional të kufijve dhe operacioneve në vendkalimet kufitare.