Kampioni i Italisë, Juventusi, pa dyshim se është në presion të Fiorentinës, me të cilën do të përballen nesër (20.45), në kuadër të javës së pestë të Serie A. ‘Zonja e Vjetër’ ka futbollistët më të mirë, por ka presionin për faktin se Fiorentina është e papërshtatshme për skuadrat e mëdha.

Nëse shikojmë traditën e rezultateve, ajo është në anën e Juves, por edhe skuadra nga Firenca ka llogaritë e saja dhe mëton të befasojë në Torino. Trajneri i Juves, Massimiliano Allegri, kërkoi nga futbollistët vëmendje maksimale. Sipas tij gabimet nuk tolerohen si dhe paralajmëroi se do të ketë disa ndryshime në përbërje. “Kundër Fiorentinës në mënyrë absolute nuk na lejohen hapat fals. E dimë shumë mirë që përball do të kemi një kundërshtar të vështirë, i cili e nisi kampionatin jo mirë, por në javët e fundit kanë arritur të korrin dy fitore radhazi. Sa i përket përbërjes do të ketë ndryshime. Szzensy do të luaj në vend të Buffon për pjesën tjetër nuk kam vendosur, pasi duhet të shoh gjendjen e tyre”, ka thënë Allegri.