Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë ka prezantuar kandidatin për kryetar të komunës së Studeniçanit dhe listën për këshilltar në këtë komunë.

Në një takim me qytetarët e kësaj komune, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti kërkoi nga banorët e rajonit të Karshiakës që të mbështesin kandidatin dhe listën e këshilltarëve të BDI-së  sepse kontrata që prezanton kryetari i Komunës  parasheh zhvillimin e komunës së Studeniçanit.

“Unë ju siguroj se Kontrata e prezantuar nga Femi Jonuzi është kontratë që ne e bëjmë me qytetarët dhe me njerëzit dhe janë gjëra që i premtojmë dhe do i realizojmë. Unë, BDI, organet drejtuese, ekzekutivi, deputetët do jenë përkrah dhe mbështetësit e Femi Jonuzit, mbështetës të programit të tij, sepse kështu përparojnë qytetarët tonë dhe zhvillohet komuna. Ju sigurojë se kjo mbështetje nuk do të mungojë”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke folur për situatën politike në vend, lideri i BDI-së u shpreh se BDI ishte cak i sulmeve të njëpasnjëshme nga të gjitha anët.

“Dy vite jemi përballë me kriza të thella politike, arritëm të mbijetojmë. Arritëm që të mos e humbin durimin. Jemi përball guximshëm me situatën, na kanë sulmuar na kanë sharrë, kanë shpifur dhe unë jam përpjek që të mos e humb durimin dhe as BDI mos ta humb ekuilibrin. Ne mbijetuam këtyre situatave. Tani kemi situata të reja pas zgjedhjeve të vitit 2016. Ne jemi në koalicion me LSDM-në dhe përpiqemi që ky koalicion të jetësohet të materializohet sipas vullnetit të shumicës të qytetarëve që ne përfaqësojmë. Ne duam të vendosim apo të forcojmë edhe një standard edhe një filozofi që e kemi instaluar katër vjet më parë. Këtij vendi i duhet kryetar shtetit konsensual, me marrëveshje në mes dy komuniteteve më të mëdha.  Dhe ky partneritet që ka filluar për së mbari të funksionoje dhe sigurisht do të reflektojë dhe është një investim për të ardhmen që më me lehtësi të vijmë deri te një kryetar shteti konsnsual. Do të ishte një e arritur maksimale për relaksimin e marrëdhënieve me shqiptarëve dhe maqedonasve. Pavarësisht se cili, kush do ishte, por, është me rëndësi që ai të jetë në pajtueshmëri nga forcat më të mëdha politike në vend. Dhe ne jemi të interesuar për bashkëpunim me forcat politike shqiptare. I kemi inkurajuar që shqiptarët të bëhen bashkë në ata komuna ku janë pakicë”, tha kryetari i BDI-së.

Kandidati për kryetar të Komunës së Studenicanit, Fehmi Jonuzi tha se në këto zgjedhje garon me program të qartë që është hartuar në bashkëpunim me banorët e Karshiakës. “Kjo është kontrata jonë, për komunën që e duam, kontrat të cilës ne do ti dalim zot dhe do të realizojmë në tërësi. Programi jonë është i qartë dhe i ndarë në disa sfera si zhvillimi lokal ekonomikë, arsimi, kultura, infrastruktura, bujqësi, ekologji dhe çështje sociale”, tha Jonuzi. Ai iu bëri thirrje qytetarëve të kësaj komune me 15 tetor të mbështesin Bashkimin Demokratik për Integrim.