Ansi Agolli e ka lënë ndeshjen ndaj Maqedonisë para fundit të saj, pasi ndjeu një dhimbje në kofshë, për të cilën shtoi se mund të jetë diçka serioze. Lidhur me lojën e zhvilluar nga kuqezinjtë dhe barazimin 1:1, kapiteni i Shqipërisë ka nënvizuar: “Ishte rezultat i duhur, këtë gjë e tregoi dhe ndeshja. Ishte lojë e hapur. Mund të fitonim ne, por edhe mund të kishim humbur. Jam i kënaqur me barazimin. Dëmtimi? Ndiej dhimbje, por më qartë do ta shikoj nesër, kur të bëj kontrollet mjekësore. Nga eksperienca që kam, duket që është dëmtim serioz.

Më vjen keq që lashë fushën, pasi ishte një moment i mirë për ne. Doja ta ndihmoja skuadrën, por nuk ke çfarë t’i bësh, këto janë pjesë e lojës. Me këtë rezultat besoj se vendi i tretë është i arritshëm. Ndaj Spanjës është pak e vështirë. Në ndeshjen me Italinë, në shtëpinë tone, do të kërkojmë rezultat. Mund edhe ta arrijmë me ndihmën e tifozëve. E kemi treguar më përpara, me skuadra të forta, dhe është e mundur. Një gjë është e sigurtë. Për sa kohë do të jem pjesë e kombëtares, do të japë më të mirën në fushë. Dhe e bëj këtë me krenari”.