Me aneks marrëveshje për ndërtimin e autostradës Milladinovcë – Shtip krahas që vazhdohet afati për përfundimin e punëve deri më 30 shtator të vitit të ardhshëm, rregullohet edhe çështje për mospagesë deri në afatin e caktuar të kërkesave mes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe kryerësin e punëve “Sinohidro” kineze. Nga e hëna do të dakordohet edhe afati i ri për ndërtim të autostradës Kërçovë-Ohër.

“Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore e cila është bartëse e marrëveshjes ‘Sinohidro’  merr për obligim të mos paguhen penalti nga ana e shtetit deri më 15 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa gjithashtu deri më 15 shkurt të mos paguhen penalti gjegjësisht kërkesat për dëmet të cilat i kërkoi ‘Sinohidro’. Ky është afat i lidhur dhe pas kësaj kthehemi në procedurë, gjegjësisht ajo që do të thotë pagesë nga ana e shtetit në kërkesat e veta dhe gjithashtu edhe ‘Sinohidro'”, deklaroi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski.

Qëllimi themelor, siç theksoi, është ndërtimi i autostradës e cila në asnjë moment nuk mund të ndërpritet.

Afati fillestar për aksin rrugor Milladinovcë-Shën Nikollë- Shtip, në gjatësi prej 47 kilometrave, ishte 1 maji i këtij viti. Vlera e këtij projekti është 206 milionë euro.

Ministri Sugareski paralajmëroi se nga hëna do të fillojnë bisedat me ‘Sinohidro’ për vazhdimin e afatit për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër sepse, siç deklaroi, shihet se afati aktual, 31 janari i vitit të ardhshëm, nuk do të jetë i mjaftueshëm.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër në gjatësi prej 57 kilometrave sipas marrëveshjes aktuale, kushton 374 milionë euro. Vlerësimet fillestare të institucioneve kompetente tregojnë se do të duhen shtesë mbi 120 milionë euro.