Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Iranit e kanë detyruar një aeroplan spiun dhe një dron zbulues të SHBA-së ta ndryshojnë kursin afër hapësirës së saj ajrore në gjashtë muajt e fundit, ka thënë sot zyrtari ushtarak i Iranit, gjenerali Farzad Esmaili.

Esmaili, komandant i Forcave Mbrojtjes Ajrore të Iranit, ka thënë se droni pa pilot “RQ-4” u interceptua javën e kaluar, ndërsa aeroplani spiun “U2” u paralajmërua të largohej në muajin mars, raporton agjencia e lajmeve Fars, transmeton Express.

“Kur piloti i këtij aeroplani [U2] u paralajmërua në Ngushticat e Hormuzit, ai e dinte se po ishte në shënjestër të dy radarëve të ndarë dhe sistemeve raketore,” ka thënë Esmaili.

Ai ka theksuar se Irani kurrë nuk do t’i lejojë aeroplanët armiqësorë t’i afrohen hapësirës ajrore të Iranit dhe se Teherani nuk do të hezitonte t’i rrëzonte ata nëse do të ishte e nevojshme.

Zyrtarët amerikanë janë ankuar shpesh për, siç thonë ata, ndërveprime jo profesionale dhe të pasigurta nga forcat bregdetare të Iranit në Gjiri gjatë këtij viti. Por, Irani thotë se forcat e saj veprojnë brenda të drejtave të tyre për t’i mbrojtur ujërat territoriale të Iranit.