Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë në bashkëpunim me OSBE-në, është duke stërvitur mbi 9 mijë policë të cilët do të angazhohen në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në tetor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski për Radion Evropa e Lirë thotë se dikasteri që drejton ai po bën të gjitha përgatitjet përfundimtare për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm nga të gjitha palët.

“Ne për çdo ditë e japim kontributin tonë që mos të ketë incidente, të zvogëlohet numri i incidenteve, ose të mos arrihet deri në incidente më serioze të cilat do të mund ta prishnin procesin zgjedhor. Por këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, pjesën e vet të punëve, ingjerencat që ka, autorizimet që i ka në dispozicion do t’i zbatojë, që me të vërtetë të sigurohen zgjedhje fer dhe demokratike dhe më e rëndësishmja
nga të gjitha, qytetarët të mund të marrin vendime”, thotë ministri Spasovski.

Ndërkaq, Ismet Ramadani nga Këshilli Veri-Atlantik për Radion Evropa e Lirë thotë se marrë parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale sepse vlerësohet se këto zgjedhje lokale përcaktojnë të ardhmen e partive politike, kjo e bën nënvizon ai, që i gjithë ambienti procesit zgjedhor të jetë tensionues, megjithëse çdo kush që do të shkakton incidente do të humbte përkrahjen e faktorit ndërkombëtar edhe nëse shënon fitore.

Comments are closed.