Sasia rekord e drogës e kapur rreth një javë më pare në brigjet e Fogias në Italia me jaht, e para e këtij lloji, ka detyruar fqinjët ti dërgojnë letërporosi prokurorive shqiptare dhe atyre malazeze.

Në bordin e mjetit lundrues u prangosën 3 shqiptarë, një me origjinë nga Durrësi Flamur Mema e dy të tjerë nga Dibra, Erinaldo Muzhika dhe Elidon Valdi.

Në kërkesën, e cila tashmë ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kërkohet më shumë informacion për lëvizjet e trafikantëve të drogës dhe burimin pasuror të tyre të investuar në vendin tonë. Sipas organit të akuzës, Mema ka në pronësi të tij një peshkarexhë, e cila menaxhohet nga i prangosur, ndërsa për dy të tjerët informacionet mbeten të fshehta.

Gjithashtu, është bërë e ditur se, 3 të arrestuarit, ishin regjistruar në sistemin TIMS, ditën e 4 shtatorit,duke kaluar në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit e cila lidhet me Malin e Zi.

Jahti luksoz me flamur amerikan nuk ka hyrë në ujërat e territorit shqiptar, thuhet më herët në njoftimin zyrtar të policisë, ndërsa fqinjët tanë kishin mundur të zbulonin edhe se si ishte furnizuar me drogë mjeti lundruar.

Lënda narkotike dyshohet se u dërgua nga zona bregdetare ndërmjet Lezhës dhe Shkodrës me skaf, e për tu ngarkuar më pas në ujërat neutrale drejt jahtit të marrë me qira nga tre shqiptarët. Hetuesit Italianë, kërkojnë më tepër informacion se kush i ka ndihmuar bashkëkombësit tanë për të tejmbushur mjetin lundrues me drogë.

Ndërkohë që janë sekuestruar edhe dokumentacionet dhe kontratat e bëra me autoritet malazeze, se si arritën Mema, Muzhiki dhe Valdi të marrin me qira jahtin luksoz në shtetin fqinj, pasi vlera tij është e lartë.

Shifra e drogës, e cila do të shitej përtej brigjeve të Adriatikut do të mbërrinte në e vlerën e 40 milionë eurove. Kjo është hera e parë e regjistruar nga Guarida di Finanza që trafikantët shqiptarë transportojnë me jaht sasi kaq të mëdha të kanabis sativa. /ABCNews