Pasi goditi rëndë Kubën, uragani “Irma” mbërriti në Florida si një stuhi e kategorisë së katërt.

Sipas mediave amerikane deri tani janë raportuar 3 të vdekur.

Një burrë ka humbur jetën në Key West, pasi humbi kontrollin e kamionit që po drejtonte për shkak të erës së fortë, ndërsa dy të tjerë vdiqën në një aksident rrugor në Hardee.

Erërat e forta dhe përmbytjet kanë përfshirë edhe Majamin, kryesisht distriktin financiar të qytetit.

Më shumë se 1.4 milion banesa janë pa energji elektrike dhe mbi 2 mijë fluturime u anuluan.

6.3 milionë njerëz u urdhëruan të evakuoheshin me paralajmërimet se rritja e madhe e nivelit të detit do të rrezikojë jetën e kujtdo në rrugën që do të ndjeke stuhia.