Një ditë para ndeshjes kundër Lihtenshtejnit, trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci ka kërkuar përqendrim maksimal ndaj këtij kundërshtari.

“Nëse mendojmë se nesër do të jetë një ndeshje e thjeshtë, atëherë do të na dalë e kundërta. Po mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme, pasi është shumë e rëndësishme, më pas do mendojmë për Maqedoninë dhe ndeshjet e tetorit. Djemtë kanë punuar shumë mirë dhe nesër do të jemi në fushë me shumë seriozitet për ta fituar këtë ndeshje”, tha Panucci.

Ai u pyet sërish edhe për ndëshkimin ndaj Cikalleshit, por kërkoj të mos flasë më për këtë çështje pasi është i përqendruar vetëm te sfida e ditës së nesërme, megjithëse u shpreh se ndëshkimi nuk do të thotë që ai nuk do të jetë në ndeshjen e ardhshme.

“Portat janë të hapura për të gjithë, por të hyrë, por edhe për të dalë”, tha trajneri. Megjithëse kërkoi të mos zbulojë asgjë nga formacioni, duke thënë se ai do të mësohet vetëm para ndeshjes, Panucci u shpreh se i ka idetë e qarta edhe për zëvendësimin e Sadikut në sulm.

“I kam idetë e qarta, pavarësisht mungesës së Sadikut, por nuk e di nëse do të jenë të drejta”, tha Panucci.

Nuk mund të mos përmendej në këtë konferencë edhe Gianni  De Biasi, trajneri që e çoi Shqipërinë në Evropian. Panucci u shpreh se shpreson të vazhdojë rrugën e tij, ndërsa pranon se ka marrë edhe këshilla nga paraardhësi i tij.