Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj e ka cilësuar me fat momentin kur Kombëtarja shqiptare ktheu sfidën ndaj Lihtenshtejnit në favorin e saj falë golit të Odise Roshit

Ai po ashtu e pranoi se Shqipëria nuk ishte shfaqur në maksimumin e saj në këtë ndeshje, pavarësisht fitores.

“Besoj se asnjë ndeshje nuk është perfektë, pavarësisht rezultatit. Besoj se asnjë ndeshje nuk është e përsosur dhe ne si Shqipëri e vogël kemi gjithmonë gjëra për të përmirësuar. Në pjesën e parë i krijuam vetes vështirësi duke e hapur lojën nga mbrojtja, jo me shpejtësi, por ngadalë. Normalisht që pastaj na mungonte hapësira në sulm”, tha Mavraj për Supersport.

“Në pjesën e dytë edhe kundërshtari u lodh dhe na krijoi hapësira, goli i parë që shënuam ishte me fat, nuk ishte se luajtëm shumë mirë, por një goditje standarde. Por ndonjëherë edhe fati të duhet për të hapur lojën”.

Ndërsa për ndeshjen ndaj Maqedonisë, Mavraj tha se nuk është vetëm ndeshje futbolli, por më shumë se aq.

“Pika kyçe në këtë ndeshje është që luajmë në Maqedoni, për vëllezërit tonë që jetojnë në Maqedoni. Kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por ka rëndësi edhe nga zemra e njerëzve që na ndjekin. Besoj se atje do të jenë shumë shqiptarë që na përkrahin, nga ana ime më ka ngel hatri që nuk luajmë në Shkup. Por do të jemi edhe më të fortë, siç kemi qenë më herët”.