Zjarrfikësit nuk po ndërhyjnë në zonën ku në orët e pasdites ka shpërthyer një zjarr i madh në fshatin Llukar, më saktësisht në zonën ku është edhe depoja e pasurisë së luajtshme të konfiskuar si e fituar në mënyrë të jashtëligjshme, njofton Klan Kosova.

Ata po hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë për shkak se thonë se nuk duan të rrezikojnë jetët e tyre, pasi sipas tyre kjo zonë ka rrezik nga minat pasi ka qenë edhe e bombarduar në vitin 1999 por në ndërkohë ata po presin nëse zjarri afrohet dhe rrezikon këtë depo.

Kryeshefi i Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama ka thënë se ka marrë garancionin që zjarri nuk do të rrezikojë depon.

“Kemi marrë informatën rreth orës 21:00, jemi duke u marrë me këtë çështje, kemi biseduar me sekretarin e  FSK-së, zjarrfikësit thonë se kodrina është e minuar, por sipas FSK’së pjesa është e pastruar”.

“Zjarrfikësit kanë garantuar se nëse duhet do të qëndrojnë tërën natën dhe të mos lejohet zjarri që të rrezikojë depon. Kemi qenë në kontakt me Agjencionin e Emergjencave dhe ata kanë dërguar forcat e tyre”, ka thënë Rama në edicionin e lajmeve në Klan Kosova.

Sipas tij, nëse zjarri i afrohet depos, atëherë rrezikohet shpërthim i madh duke rrezikuar kështu edhe miliona euro pasuri.

“Është një vijë e zjarrit që po i afrohet depos dhe këtu qëndrojnë me miliona euro pasuri, kemi marrë garancionin nga zjarfikësit se nuk do të lejojnë një gjë të tillë”.

Përgjegjësi për intervenime në kuadër të Brigadës së Zjarrfikësve, Nehat Berisha ka thënë se nuk do të intervenojnë derisda zjarri të afrohet për shkak se nuk ka siguri për jetët e tyre.

Por ai ka siguruar se depoja e Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar nuk do të rrezikohet.

“Nuk guxojmë të futemi për shkak se është zonë që është bombarduar dhe nuk dimë nëse është rrezik për shkak të minave. Do ta ruajmë objektin, nuk do të rrezikohet objekti, jemi tri ekipe në vend të ngjarjes dhe nëse duhet do të kemi edhe ekipe shtesë”, ka thënë Berisha.