Mbi 50 hektarë me pisha dhe pyje të ulëta prej mbrëmë janë përfshirë nga zjarri rreth manastirit Shën Mëria e shenjtë – Treskavec në Prilep. Sipas komandantit të njësitit të zjarrfikësve Stanko Koleski, zjarri ka filluar rreth orës 16 prej varrezave të reja të qytetit dhe është përhapur me shpejtësi të madhe. Është kapluar edhe mali rreth kompleksit të manastireve.

“Në terren kanë dalë edhe ekipet e njësitit të zjarrfikësve. Zjarri po përhapet me shpejtësi të madhe drejt manastirit. Për momentin ka ekipe të vogla të personave të cilët janë duke e shuar. Ditëve të fundit ka pasur shumë zjarre në territorin e Komunës Prilep, si ekip jemi duke intervenuar me ditë. Shuarja në kushte të tilla është vështirësuar, terrenet janë mjaft të këqija, ndërsa temperaturat janë të larta. Bëjmë thirrje që qytetarët të mos ndezin zjarr në hapësirë të hapur dhe ta respektojnë ndalesën për lëvizje në pyje”, deklaroi mbrëmë Koleski, duke shtuar se në territorin e Prilepit aktive janë katër zjarre.

Nga zjarri i madh rrezikohen edhe vendbanimet Gorno sello, Mazhuçishte dhe Zabërçan. Mbrëmë në terren ishte edhe kryebashkiaku i Prilepit, Marjan Risteski.

“Para së gjithash, do ta dënoja sjelljen e papërgjegjshme të individëve të cilët janë shkaktarë të një pjese të madhe të këtyre zjarreve dhe këtu do t’ju bëja thirrje institucioneve përkatëse të reagojnë, të gjenden autorët e këtyre veprave penale dhe të veprohet sipas ligjit. Me të gjitha këto zjarre është bërë dëm i madh material, janë duke u bërë shpenzime të mëdha të cilat janë në barë të Komunës, NJTZ, institucioneve publike dhe të gjithëve të cilët janë të involvuar në shuarjen e zjarreve. Pasi që ky zjarr është në afërsi të manastirit Treskavec, do të dërgoja apel që sonte dhe nesër të paraqiten vullnetarë për lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në manastir”, deklaroi Risteski.

Të gjithë vullnetarë të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në shuarjen e zjarrit në Treskavec të drejtohen tek ekipi i zjarrfikësve në Prilep ose në telefonin 193.