Policia do të shqyrtojë se si Goran Grujevski ka siguruar pushim mjekësor. Besohet se kjo është bërë përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Brendshme do të vërtetojë se me çfarë baze ish shefi i Drejtorisë së Pestë ka marrë vërtetim për mungesë nga puna, për shkak të sëmundjes.

Goran Grujevski për shkak të depresionit nuk është paraqitur as në seancën publike në Gjykatën e Apelit. Ai dorëzoi ankesë me të cilën e kërkonte pasaportën e konfiskuar, ndërsa avokatët në emrin e tij premtonin se ai nuk do të arratiset. Policia edhe më tej është në kërkim të Grujevskit dhe Boshkovskkit të cilët akuzohen për përgjim jolegal.

Gjurmët e tyre u zhdukën pasi Supremja zyrtarisht konfirmoi masën e paraburgimit. MPB të njëjtit i kërkon nëpër tërë Maqedoninë, ndërsa në kërkim është vënë edhe Interpoli. Tani për tani ata po fshihen me sukses. Ish punonjës të policisë nuk e përjashtojnë mundësinë që Grujevskin dhe Boshkovskin gjatë arratisjes ta kenë ndihmuar kolegë nga policia sekrete.

“Instalimet, lidhjet dhe pozicionet e Grujevskit dhe bashkëpunëtorit të tij ende janë aktuale. Ata mund të ndihmojnë dhe të ofrojnë logjistikë përkatëse. Nga ana tjetër jemi dëshmitarë se e tërë partia, ose të paktën kreu i partisë së VMRO-DPMNE-së qëndron pas tyre, kështu që logjistika mund të pritet edhe prej tyre. Personalisht konsideroj se ende janë në Maqedoni”, deklaroi Voislav Zafirovski, ish shef i SPB-së në MPB.

Tani për tani nga MPB-ja nuk ka konfirmim zyrtar nëse hetohet mundësia që ata të kenë marrë ndihmë logjistike nga sektori në DSK ku Grujevski me vite ishte shef. Ai dhe Boshkovski janë të akuzuar për rastet Fortesa dhe Target përmes të cilave Specialja pritet të gjejë përgjigje se kush ka përgjuar në mënyrë ilegale me vite në Maqedoni./Alsat-M