Shpallja e zgjedhjeve lokale ka hapur sërish debatin për listën zgjedhore, nëse do të ketë ose jo përmirësime nga zgjedhjet e dhjetorit apo votimet do të mbahen me listën e njëjtë. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë që në listën zgjedhore të kthehen votuesit e dyshimit të cilët ishin hequr nga lista për shkak të të dhënave jo të sakta apo që nuk korrespondonin me adresat e banimit apo për mangësi tjera. Shumica nga këta votues ishin nga Çairi, Tetova, Shkupi, Kërçova e vendbanime tjera.

Konform normave ligjore listës zgjedhore do t’i rikthehen të gjithë ata votues të cilët në zgjedhjet e fundit kanë qenë të fshirë nga lista padrejtësisht dhe besoj se KSHZ do të dërgon për verifikim gjithë listën zgjedhore dhe të gjithë qytetarët të cilët kanë dikumente valide do të kenë të drejtë të votojnë. Qëndrimi jonë është që të gjithë qytetarët të cilët kanë document valid të rikthehen në listë zgjedhore dhe nëse është qëndrim i partive tjera atëherë ka pasur zhurmë për votuesit e Pustecit dhe jo për votuesit që jetojnë në Maqedoni – deklaroi Ejup Alimi, BDI.

Nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë që institucionet kompetente të vendit të mundësojnë listë të pastruar zgjedhore, me qëllim që të tejkalohen dilemat e qytetarëve mbi besueshmërinë e zgjedhjeve.

Është një nga çështjet që institucionet të cilat i menaxhojnë zgjedhjet nënkuptohet KSHZ por dhe të gjitha institucionet tjera, të jenë më efikase me qëllim që të kemi lista sa më të besueshme. Ato problemet të cilat i kemi hasur në zgjedhjet parlamentare të tejkalohen, të mos ketë emra fiktiv dhe këto emra fiktiv nënkuptohet që lënë dyshime në vetë besueshmërinë e vetë zgjedhjeve. Kërkojmë nga institucionet që të kemi lista sa më të besueshme, të përpunuara dhe që rezultate të këtyre zgjedhjeve lokale të jenë sa më të besueshme – tha Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.

Për fat te keq nuk kemi arritur t’i shmangim dilemën e qytetarëve që lista përfundimisht është e pastruar dhe ne jemi për atë që lista zgjedhore vërtetë të jetë me numrin real të votuesve në Maqedoni. Mbetet që institucionet përkatëse, KSHZ të punojë në vazhdimësi për të pasur një listë zgjedhore të pastër. Kemi insistuar dhe do insistojmë që lista të jetë e pastruar – tha Syrija Rashidi, Aleanca Për Shqiptarët.

Lidhur me listën zgjedhore nga KSHZ-ja thonë se këtyre ditëve do të dalin me të dhëna mbi numrin e votuesve dhe procedurat e verifikimit të listës, afatet dhe mundësitë e përfshirjes në listën zgjedhore të personave të cilët për arsyeje të ndryshme janë hequr nga lista. Ditë më parë edhe organizatat civile të cilat merren me monitorimin e zgjedhjeve kërkuan nga institucionet e vendit që gjatë zbatimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale të mos ketë keqpërdorim të resurseve shtetërore për qëllime politike, rregullimi I listës zgjedhore të jetë prioritet, eliminimi i presionit ndaj votuesve, ndarja e shtetit nga partitë politike, dukuri këto të cilat kanë shoqëruar proceset zgjedhore gjatë viteve të kaluara./alsat-m