Sot zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, dr.Visar Ganiu, e priti drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dr.Skender Asani. Në takim u bisedua për ecurinë e punës së suksesshme të Institutit të vetëm shqiptar në Maqedoni, të këtij profili publik-shkencor, e në veçanti për projektet e shumta hulumtuese-shkencore që janë në zhvillim e sipër.
Zëvendësministri Ganiu, u interesua për angazhimet e ITSHKSH-së, lidhur me ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë së pasur kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni. Ai theksoi se mbështetjen e treguar nga MASH, Instituti e ka dëshmuar me punë, duke botuar vepra dhe duke realizuar konferenca shkencore, me të cilat është bërë i njohur ky Institut në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, drejtori Asani iu falënderua zëvendësministrit Ganiu, për mbështetjen materiale në projektet e Institutit, për të realizuar programin vjetor, i cili sivjet korrespondon edhe me shënimin e 10-vjetorit të punës së ITSHKSH-së. Në këto projekte, bën pjesë botimi i rreth 30 veprave si dhe organizimi i disa konferencave shkencore, me partneritet kombëtar dhe ndërkombëtar, me të cilat për herë të parë del në pah një pasuri e pakrahasueshme e trashëgimisë tonë kulturore, historike, shpirtërore dhe materiale.
Në takim morën pjesë edhe udhëheqësi i sektorit të shkencës pranë MASH-it, dr.Bardhyl Tushi, dhe kryetari i Këshillit të ITSHKSH, dr.Sevdail Demiri.