Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, z. Hazbi Lika nëpërmjet një letër ngushëllimi shprehu keqardhjen e tij për vdekjen e Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta e kryeministrit të parë dhe veprimtarit të dalluar të Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi.

Ndarja e hershme e kirurgut të parë të UÇK-së, Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, ish-ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht ish Nënkryetarit të PDK-së, është një humbje e madhe për vendin. Kontributi i tij për popullin e Kosovës dhe përkushtimi i tij gjatë shtetndërtimit të Kosovës, la gjurmë të çmuara.

Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, t’ju shpreh Juve, popullit të Republikës së Kosovës dhe familjes Rexhepi, ngushëllimet e mia më të sinqerta.

U prehtë në paqe dhe i qoftë i lehtë dheu!” – shkruan zëvendëskryeministri Lika.