Deputeti i Nismës për Kosovën Milaim Zeka, ka thënë se do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

Ai para gazetarëve ka deklaruar se këtë po e bën për dy arsye, përcjell Bota sot.

“E para, për të kundërshtuar logjikën e bojkotit, të cilën e ka instaluar Lëvizja Vetëvendosje, në legjislaturën e kaluar. Kam ardh pa gaz lotsjellës. E dyta, kam ardhur për t’i treguar Stavilecit dhe PDK-së, se jam deputet e jo numër”, është shprehur deputeti Zeka.

Ai ka sqaruar se Nisma për Kosovën nuk ka marrëveshje politike me asnjë parti se a duhet apo jo të merr pjesë në seanca të Kuvendit.

“Nisma s’ka marrëveshje politike me asnjë parti tjetër politike se a do të marrin apo jo pjesë në seancë. Logjika e bojkotit është e papranueshme, është logjikë e inatit ballkanik për t’i bllokuar proceset”, ka thënë tutje Zeka.

Ai I ka ftuar të gjitha partitë politike që të ulen e të gjejnë një zgjidhje.

“I bëj ftesë të gjitha partive që të ulen e të gjejnë zgjidhje. Nuk kam informacione se a i kanë numrat, Fatmir Limaj edhe dje e çdo ditë na ka thënë që vendimet secili deputet mund t’i merr në mënyrë të pavarur”, ka shtuar ai.

Deputeti i Nismës, ka thënë se PDK po flet në emër të Nismës pa u konstultuar me ta, por se ai “nuk është bisht i PDK-së dhe as i PAN-it”.

“Unë do ta votojë Haradinaj, e votoj Veselin, por jashtë kandidaturës së tij, nuk e votoj askënd tjetër nga PAN-i. PDK-ja është duke folur në emër tonin pa u konsultuar, unë nuk jam kurrfarë bishti i PDK-së e as i PAN-it, nuk veproj në bazë të shantazhit dhe kërcënimeve”, ka përfunduar ai./BS

Global