Ish-Kryeadministratori i Bosnjes dhe njëkohësisht një nga diplomatët më të rëndësishëm europianë, Wolfgang Petrisch, ka zbuluar lojën që po bën Vladimir Putin në Ballkan.

Është serbja B92 që ka sjellë disa pasazhe të një interviste të Petritsch për agjencinë austriake APA.

Putin nuk e çan fare kokën për Ballkanin. Nuk i duhet fare. Gjithçka ai ka bërë në Maqedoni dhe në Serbi, synon të dobësojë Bashkimin Europian, i cili i ka vënë sanksione të forta Rusisë”, thotë Petritsch.

Sipas kryeadministratorit të Bosnjes, duke dobësuar BE-në, Europa do të detyrohet të ulet në bisedime për kushte të reja.

Diplomati austriak, i cili është një nga hartuesit e Marrëveshjes së Dayton-it, mendon se Serbia përfundimisht nuk do të shkojë drejt Moskës por drejt Brukselit.

“Si vendi më i rëndësishëm i Ballkanit, Serbia e di se BE është rruga më e sigurtë dhe për të ndodhur kjo duhet të mbyllë bisedimet me shqiptarët e Kosovës. Rusia realisht nuk ka interesa reale në Ballkan, por e bën këtë për një strategji profilaktike, për ta poshtëruar BE-në dhe për të përçarë vendet e saj anëtare.

Një strategji e tillë u përdor edhe nga Milosheviçi kur nisi bombardimi i Kosovës, por nuk u realizua falë kompaktësisë së aleatëve. Por këtë herë është ndryshe”, ka thënë Petritsch.

Ndërkaq, diplomati i njohur austriak ka deklaruar se Kosova është shumë e dobët nga ana institucionale dhe shtoi se për mbi 30 vjet Kosova nuk është gati për të hyrë në Bashkimin Europian.