Pasdite sot në Tetovë u shfaq një re e zezë nga zjarrvënia e qëllimshme në deponinë e qytetit, ndërkohë që autoritetet lokale u vunë menjëherë në lëvizje duke vënë kështu nën kontrollë zjarrin i cili kishte kapluar gjithë deponinë e qytetit e cila sapo kishte nisur të dislokohet nga aty për t’u transferuar në një lokacion tjetër jashtë vendbanimeve.

Ky gjest i zjarrvënies duket se ka irrituar jashtë mase masën intelektuale tetovare të cilët e kanë vënë re se deponisë së qytetit i kanë vënë zjarrin me qëllim pasiqë kanë parë se po largohet nga ai vend në hyrje të qytetit.

E pandershme është që të tallesh me fatkeqësinë e tjetërkujt, kështu shkruan në një status të tij Sabedin Selmani, me profesion aktor. Ai shkruan mes tjerave se ka qenë shumë i gëzuar me lajmin që deponia e qytetit po dislokohet nga ai vend.

“Në krahasim me mua që më gëzoi shumë lajmi se ditëve në vijim do të pastrohet deponia dikush këtë e përjetoi si diçka shumë tragjike andaj ja vuri flakën, është shumë e pandershme të tallesh me fatkeqësinë e tjetërkujt”, shkruan mes tjerave aktori Selmani.

Ndërkohë që gazetari Bardhyl Zaimi shkruan se neronët me zjarrvënie kërkojnë argumente për dramacitet.

“Deponitë e egra janë problem real për qytetarët, padyshim iu adresohen komunave, por duket se edhe neronët që me zjarrvënie kërkojnë argumentin për të krijuar dramacitet parazgjedhor ose kushedi se për çfarë motivesh janë po aq dramatike”, ka thënë mes tjerave gazetari Bardhyl Zaimi.