Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot duhet të bisedojnë me telefon për ngjarjet e fundit në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Shkupit dhe tërheqjes së tërë personelit nga Ambasada e Serbisë në Maqedoni.

Nga kabineti i presidentit të Serbisë për mediat serbe konfirmuan se biseda telefonike Vuçiq-Zaev është caktuar për sot në mesditë në orën 12:00.

Shefi i diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq dje paralajmëroi se edhe përmes telefonit do të bisedojë me kolegun e Maqedonisë Nikolla Dimitrov, ndërsa është planifikuar edhe takim i kryeministres serbe Ana Bërnabiq me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë, Zaev, në takimin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor ditën e shtunë në Durrës.

Serbia të dielën e tërhoqi tërë personelin nga Ambasada në Shkup,. fillimisht pa sqarimin e arsyeve. Një ditë më vonë, të hënën, presidenti serb Vuçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Daçiq, njoftuan se diplomatët dhe të punësuarit në ambasadën në Shkup u tërhoqën për shkak të “aktivitetit ofensiv zbulues kundër institucioneve të Serbisë”.

Presidenti serb Vuçiq mbrëmë në një deklaratë për RTS tha se “punët midis Maqedonisë dhe Serbisë do të shkojnë në drejtim më të mirë”. Paralajmëroi se për disa ditë do të kthehet personeli në ambasadën në Shkup dhe se punët do të normalizohen. Vuçiq nuk pret që marrëdhëniet të shkojnë në nivel më të lartë, por, siç theksoi, të përshtatshme.

Konfirmoi se sot përmes telefonit do të bisedojë me Zaevin për situatën aktuale dhe për mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë i përshëndeti paralajmërimet nga Beogradi zyrtar për mbrojtjen e marrëdhënieve miqësore dhe për kthimin e situatave në korniza të zakonshme.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov dje në konferencë për shtyp deklaroi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë as nuk ka pasur për qëllim, e as nuk ka dhënë urdhër ose instruksion, e as nuk ka kryer veprime zbuluese kundër dhe në dëm të ndonjërës prej vendeve fqinje duke e përfshirë këtu edhe Serbinë.

“Esenca në qasjen ndaj bashkëpunimit rajonal të Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë janë themelet e zgjidhjes së problemeve të cilat ekzistojnë në rajon kundrejt krijimit të problemeve. Kjo është politikë e dyerve dhe zgjidhjeve të hapura, të qasjes së re, konstruktive dhe të hapur ndaj fqinjëve. Ato janë zgjidhje të cilat çojnë  drejt përparimit të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet tjera nga mjedisi. Përderisa ekzistojnë çfarëdo mosmarrëveshje, mendojmë se mënyra e duhur që ato të adresohen është bisedimi i drejtpërdrejtë, dialog”, theksoi Dimitrov.