Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në deklaratë për revistën serbe “Blic” përsëriti se Qeveria asnjëherë as nuk ka pasur për qëllim, as nuk ka dhënë udhëzime për kryerjen e çfarëdo aktiviteteve zbuluese kundër cilitdo vend fqinj, duke përfshirë edhe Serbinë.

Para bisedës së paralajmëruar së sotme me telefon me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Zaev thotë se Qeveria e re në Shkup fuqimisht  është e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë.

“Pa kurrëfarë konkluzione të parakohshme, e respektojmë dhe e përkrahim thirrjen e Beogradit zyrtar që t’i mbrojmë marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe Maqedonisë dhe të vendosim kodeks standard të sjelljes. Shpresoj se bisedat e sotme me presidentin Aleksandar Vuçiq do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet eventuale”, tha Zaev.

Qasja e vetme konstruktive për tejkalimin e problemeve, sipas tij, është dialog i hapur i drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet dhe gjetjen e zgjidhjeve të dobishme për të dyja palët.

I pyetur nëse Qeveria e Maqedonisë ka arritur marrëveshje me shqiptarët në dëm të interesave serbe, Zaev pohon se ato janë lajme të rreme.

“Më lejoni të bëhem i qartë, në politikën tonë nuk ka strategji dhe politikë në dëm të Serbisë. Jemi të përkushtuar për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe punën e vazhdueshme për përforcimin e marrëdhënieve tona bilaterale me Serbinë. Qasja e jonë në politikën e jashtme bazohet në politikë të dyerve të hapura, dialogun e drejtpërdrejtë dhe vullnetin e mirë,  që do t’i zgjedh problemet, në vend se të krijojë të reja. Vlerësojmë se kjo është mënyra me efikase për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit dhe partneritetit”, deklaroi Zaev.

Lidhur me çështjen e Kosovës, kryeministri i Maqedonisë thotë se Qeveria e Maqedonisë angazhohet të ndërtojë marrëdhënie miqësore të bazuara në respektimin e ndërsjellë dhe përforcimin e lidhjeve tregtare.