Pavarësisht deklarimeve të deritanishme zyrtarëve të PDK-së se i kanë numrat për të votuar kryetarin e Kuvendit, anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti, ka pranuar se votat mungojnë, pasi po t’i kishin do të merrnin pjesë në seancën konstituive të parlamentit.

Haliti ka thënë se ende nuk dihet nëse PAN, do të marrë pjesë në seancën e së hënës, ndërsa ka shtuar se është në interes të vendit koalicioni me LDK-në.

“Është një situatë, nuk e di saktë se çfarë mund të ndodhë nesër, çfarë mund të sjellë e hëna, apo java që po hyjmë, ndoshta mund të bëhen 61 vota. Ne presim që të jemi të sigurtë në zgjedhjen e kandidaturave tona, edhe për Parlamentin, edhe për qeverinë.

Sikur ne t’i kishim votat të gjitha, do të futeshim në seancë të zgjidhnim kryetarin e Kuvendit dhe do ta caktonim seancën për ta zgjedhur kryeministrin, respektivisht Qeverinë.

Ne kemi pasur një marrëveshje në bazë të informatave që kam dhe ka lëvizur puna, dikush është tërhequr nga marrëveshja dhe tani po punohet të kemi një marrëveshje të re dhe t’i qëndrojmë asaj marrëveshje.

Nuk kam informacion se cilët po bisedojnë,  sepse unë s’jam i ngarkuar dhe s’jam pjesë e grupit që zhvillon bisedime për koalicione”, ka thënë Haliti në një intervistë për “Kosova Press”.

Sa i përket pjesëmarrjes në seancën e së hënës, të thirrur nga kryesuesi, Adem Mikullovci, pa takimin konsultativ të cilin e ka kërkuar PDK-ja, Haliti thotë se ende nuk ka vendosur partia nëse do të marrin pjesë, por thekson se është e drejtë e kryesuesit që të thërrasë seancën.

“S’mund të them që ai s’ka të drejtë të thërrasë seancën, por unë besoj se kjo tryezë do të duhej të derivonte në një marrëveshje të përbashkët të grupeve parlamentare, respektivisht të partive ose në fund të fundit mund të derivonte një takim të përbashkët të kryetarëve të partive politike, të cilat do të gjenin një zgjidhje domosdo. Tani për tani nuk mund të them a do të marrim pjesë a jo, sepse është çështje e kryesisë së partisë, është çështje e organeve të partisë, të cilat mbi bazën e informatave që kanë sa i përket të hënës, me siguri që do të marrim një vendim të natyrshëm dhe domosdoshëm për të marrë pjesë ose për të mos marrë pjesë”, ka deklaruar Haliti. /tesheshi.com/