Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me kryetarin e Kuvendit popullor të Republikës së Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, i cili po qëndron për vizitë të shkurtë pune në Maqedoni, me ç’rast dy kryetarët folën për mundësitë për bashkëpunim që i hapë Marrëveshja për miqësi.

Siç kumtoi shërbimi i Kuvendit për shtyp, Xhaferi theksoi se ka ardhur momenti për fillim të faqes së re në marrëdhëniet mes dy shteteve me ç’rast u falënderua për mbështetjen të cilën ia ofron Republika e Bullgarisë Republikës së Maqedonisë dhe për aspiratat e saja për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Ai gjithashtu e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet kryetarëve dhe deputetëve të dy parlamenteve në të gjitha mandatet e njëpasnjëshme dhe shprehi pritje se ai do të intensifikohet në të ardhmen, posaçërisht në dritë të Marrëveshjes së nënshkruar për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nga ana e kryeministrave të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë”, tha Xhaferi, ceket në kumtesë.

Kryetari Gllavçev, ndërkaq, ceket, shprehi kënaqësi nga vizita në Republikën e Maqedonisë, duke vlerësuar se me nënshkrimin e marrëveshjes fillon historia e re në marrëdhëniet e dy shteteve dhe shfaqi bindje se Kuvendi popullor i Republikës së Bullgarisë, sërish do ta japë mbështetjen me ratifikimin e marrëveshjes, njejtë si edhe mbështetjen për proceset demokratike në Republikën e Maqedonisë dhe për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Me marrëveshjen hapen horizonte të reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, përfshirë edhe mes dy parlamenteve në nivel të komisioneve dhe grupeve për bashkëpunim, në tema të interesit të ndërsjelltë dhe posaçërisht në interes të Republikës së Maqedonisë dhe përmbushjes së kritereve për injtegrimin e saj euroatlantik”, theksoi Gllavçev, i cili njëherit e ftoi Xhsferin të marrë pjesë në ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin popullor të Republikës së Bullgarisë.