Kaluan dy ditë pasi VMRO -DPMNE kërkoi që Komisioni Antikorrupsion ta interpretojë nëse Ligji i zgjedhjeve ndalon shkarkimin e funksionarëve në periudhën kur janë shpallur zgjedhjet.

Por, në këto dy ditë jo vetëm që nuk ka vendim urgjent por nuk iu dëgjohet as zëri Komisionit Antikorrupsion për atë nëse do ta shqyrtojnë kërkesën e opozitës.

Kështu, në prag të vazhdimit të nesërm të seancës për shkarkimin e Zvërlevskit situata në Kuvend mbetet e pandryshuar. Është e pritshme që VMRO ta kundërshtojë këtë duke akuzuar për procedurë joligjore, ndërsa mazhoranca do të përpiqet që procedurën ta çoj drejt fundit. Heshtja e Komisionit kryetar i të cilit është ish donator i VMRO -së gjithsesi nuk kontribuon për zgjidhje të shpejtë. Një pjesë e ekspertëve u shprehën kundër përfshirjes së Komisionit Antikorrupsion në procedurën për shkarkimin e Zvërlevskit. Ish anëtari i këtij Komisioni, Arif Musa dje për Alsat-M ka thënë se Komisionit Anti-korrupsion nuk është kompetent të interpretoj ligje.

Arsyeja se pse VMRO-DPMNE-ja kërkon elaborim është Neni nga Kodi zgjedhor i cili ndalon të niset procedurë për punësim apo shkarkim në organet shtetërore dhe publike pasi të jen shpallur zgjedhjet. Ky nen iu shtua Kodit Zgjedhor vitin e kaluar si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, megjithatë në të nuk precizohet shkarkimet dhe emërimet e funksionarëve që i zgjedh parlamenti.