Një grua e moshës 90 vjeçare është viktima e parë e virusit të Nilit Perëndimor në Greqi gjatë këtij viti, kumtoi Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (KELPNO) duke shtuar se ajo ka vdekur nga komplikimet e shkaktuara nga encefaliti.

Në të dhënat javore epidemiologjike në Faqen e saj të internetit KELPNO kumtoi se edhe dy pacientë po mjekohen nga virusi i Nilit Perëndimor, të cilin e kanë marrë nga mushkonjat infektuese, nga të cilat njëri ka shfaqur encefalit dhe është në kujdes intensiv.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, sivjet me këtë virus në Greqi deri më tani janë infektuar gjithsej 12 persona, nga të cilët tetë kanë shfaqur simptoma serioze siç janë meningitis, encefalit dhe paralizë akute flakcide, ndërsa katër pacientë kanë shfaqur simptoma më të lehta të ngjashme si të grupit.

Epidemi të infeksionit me virusin Nili Perëndimor te njerëzit dhe kafshët janë vërejtur çdo vit midis vitit 2010 dhe 2014 gjatë muajve të verës në rajone të ndryshme në Greqi. Në vitin 2051 dhe 2016 nuk është regjistruar asnjë rast, por shkencëtarët grekë vazhdimisht përsërisin se presin që virusi sërish të paraqitet.