Ushtria e Venezuelës ka penguar të martën deputetët opozitarë që të hyjnë në Pallatin Legjislativ, ndërkohë që kriza në vend sa vjen e shtohet, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas opozitarëve, delegatët e Asamblesë Kushtetuese të sapozgjedhur arritën të futen në godinën parlamentare pas çka urdhëruan rojet të ndalojnë kongresistët opozitarë që të hyjnë në ndërtesë.

“Kjo qeveri pushton hapësirat të cilat nuk është në gjendje t’i fitojë me ligj”, tha kreu i opozitës Stalin Gonzalez në një postim në Twitter.

Që nga instalimi i Asamblesë Kushtetuese të premten e kaluar, Kongresi dhe organi i ri legjislativ kanë ndarë të njëjtën ndërtesë por duke punuar në salla të ndryshme.

Asambleja Kushtetuese pritet të njoftojë të martën për disa vendime të reja të cilat do të sjellin “drejtësi”, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e heqjes së imunitetit të deputetëve dhe skualifikimit politik për këdo që nxit dhunë.

Trupi i ri që ka fuqinë për të rishkruar Kushtetutën dhe të shpërndajë institucionet, votoi të shtunën për të zëvendësuar prokuroren e Përgjithshme, Luisa Ortega, një kritike e ashpër e presidentit Nikolas Maduro, dhe ta zëvendësojë atë me Tareck Wlliam Saab, një lojaliste e presidentit Maduro.

Asambleja gjithashtu krijoi të ashtuquajturin Komision të së Vërtetës i cili ka fuqi të sigurojë drejtësi për viktimat e dhunës së fundit antiqeveritare në të cilën humbën jetën 120 persona.

Ndërkohë të martën, Gjykata Supreme e Venezuelës urdhëroi arrestimin e kryebashkiakut të Chacaos në Karakas, Ramon Muchacho, sepse nuk kishte zbatuar urdhërin për të larguar barrikadat e vendosura në rrugë gjatë protestave të fundit.