Shkolla “Betim Muço” është një nga katër shkollat e reja të ndërtuara këtë vit, që në shtator do të mirëpresë nxënësit e kryeqytetit. Rreth 1200 nxënës të zonës së Kombinatit do të nisin sezonin e ri shkollor në ambiente tërësisht të reja dhe kushte moderne.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me detajet e fundit, ndërsa deklaroi se brenda mandatit të parë do të përfundojë edhe ndërtimi i 16 shkollave të tjera. “Të gjithë bashkë kemi bërë një përpjekje, duke filluar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, te administratori, stafi i bashkisë dhe gjithë komuniteti që ka mirëpritur një nga investimet më madhore të projektit tonë ambicioz të 20 shkollave. Në Tiranë ka qenë rutinë ndërtimi i një shkolle në vit, kurse ky vit është një rast i paprecedentë sepse hapim 4 shkolla të reja. Vitin tjetër do të kemi 16 shkollat e projektit tonë për 20 shkolla”, tha Veliaj.

Shkolla “Betim Muço” do të presë deri në 1200 nxënës, çka do të ulë numrin e nxënësve nëpër klasa dhe do t’i japë fund pas shumë vitesh mësimit me dy turne. “Në ditët e para të shtatorit, kur edhe regjistrimet të kenë marrë hov, do të kemi një nga shkollat më fantastike të qytetit të Tiranës. Besoj se shpresa e madhe e Tiranës lind në këto klasa, që përkthehet në uljen e presionit të mësimit me 2 turne për 3-4 shkollat e tjera të Kombinatit, çka siguron që në Kombinat, të gjitha mësimet të bëhen me një turn”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se tashmë prindërit nuk do të kenë më nevojë që të humbasin kohë dhe para për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat në qendër të qytetit.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, janë duke punuar që disa prej mësuesve me rezultatet më të mira në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të bëhen pjesë e stafit të ri akademik të shkollës “Betim Muço”, duke garantuar në këtë mënyrë edhe cilësi në mësimdhënie. “Kemi një bashkëpunim fantastik me Drejtorinë Arsimore. Nga java tjetër do të fillojmë aplikimet për regjistrim në këtë shkollë. Me të bërë regjistrimin, do të sigurohemi që disa nga ata që kanë dalë më mirë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të japin mësim këtu. Pra, kursejmë energji, kohë, para dhe nuk dyndemi të gjithë në Tiranë apo në shkollat e tjera të Kombinatit, por do të kemi një shkollë fantastike 9-vjeçare në zemër të Kombinatit, për të lehtësuar stresin e prindërve që duan më të mirën për fëmijët e tyre”, u shpreh ai.

Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të shpërndajë edhe këtë vit 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. “Edhe këtë vit do të kemi 3 mijë bursa, që na kanë treguar që pavarësisht si e ke mbiemrin, pavarësisht se nga vjen, pavarësisht gjendjes ekonomike, mund të dalësh me dhjeta në Tiranë dhe mund të jesh i shkëlqyer. Detyra e bashkisë është që ta bëjë këtë proces të lehtë duke krijuar kushte komode”, u shpreh kreu i Bashkisë. Duke falenderuar qytetarët e Tiranës për korrektesën në pagimin e detyrimeve dhe në respektimin e ligjit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se të tilla projekte janë tregues se çdo qindarkë që administrohet nga Bashkia, kthehet menjëherë në investime për qytetin e Tiranës.

“E di që shpesh herë njerëzit kërkojnë më shumë investime. Të gjitha këto bëhen nga taksat dhe për të kuptuar se sa duk kanë sot ato në Bashkinë e Tiranës, mjafton të shikojmë se sa shkolla dhe investime publike janë bërë. Ndaj besoj se meritojnë falënderim të gjithë ata që janë korrekt me ligjin, të gjithë ata që paguajnë taksa, apo ata që paguajnë gjoba për ndonjë shkelje. Për sa kohë që të gjitha fondet e bashkisë po shkojnë në investime, besoj që ka duk në komunitet dhe secili e ndjen që çdo qindarkë po administrohet për t’u kthyer menjëherë në investim për qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” ka 27 klasa dhe 6 laboratorë, dhe do mbulojë nevojat e 1200 nxënësve. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, do t’i shërbejnë gjithë zonës së Kombinatit.