Vebi BEXHETI

Arbën Xhaferi është si një udhëkryq, që bashkon rrugët shqiptare për të rindarë drejtimet e të menduarit mbi të shkuarën, të sotmen e të ardhmen e shqiptarizmës, dhe mbase është po ashtu, i vetmi mes të shquarve të gjindjes sonë, që as nuk është lëvduar ndonjëherë aq sa e meriton, po as nuk është gjuajtur ndonjëherë me gurë siç nuk e meriton. Duket sikur të gjithë pajtohen me qënien e tij në një pozicion si të ndërmjetëm mes të gjithëve e shumëçkaje, personazh me një status krejt unikal, i cili i ka lejuar vetes të synojë sintezën e shumëlakmuar po asnjëherëmbërritur të Shqipëribërjes, duke u marrë njëkohësisht edhe me histori, edhe me filozofi, edhe me kritikë, edhe me politikë, edhe me diplomaci, e gjithēherë duke ruajtur një distancë higjenike nga të gjithë lëvruesit shqipfolës të këtyre lëmeve,ku ai ka parapëlqyer të bëjë rolin e bletës së urtë nektarmbledhëse, pa u ndotur kurrë të bëj grenxën e zhurmshme që pickon për t’u imponuar.( Edi Rama, nga parathënia e kompletit të veprave të Arbën Xhaferit, në 5 vëllime, botuar në Tiranë, 2017 ).

E fillova këtë shkrim me një citat nga fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, nën përkujdesjen e të cilit u botua kompleti i veprave të Arbën Xhaferit, më tepër për t’i nxitur lexuesit që sa më parë ta kenë në dorë këtë vepër me vlera kolosale për kombin, se sa të jetë në shërbim të reagimit, nëse mund ta quajmë kështu, kundër një shkarravitjeje të Xhevdet Hajredinit, që nuk e gjen në asnjë teori letërsie sepse nuk e plotëson as kriterin më elementar për t’u kategorizuar në njërin nga tipet e shkrimit të natyrës që pretendon ky ,, publicist”. Do ishte më mirë që Xhevdeti, para se t’i hynte aventurēs për t’u marrë me Arbën Xhaferin, ta kishte lexuar veprën e tij, edhe pse dyshoj se do e kuptonte, ose së paku ta lexonte parathënien e Edi Ramës.

Bëlbëzimet e këtij veterani zhurmaxhi që mendon se ashtu lehtë mund të njolloset figura e një përmase siç ishte Arbni, vetëm sa e dëshmojnē se nostalgjiku i një kohe të shkuar, apo adoleshenti i vonuar i politikës në kushte demokrcie, nuk e ka as kulturën minimale publcistike e as dien fillestare për t’u përballur me një personalitetet, që me kohë ka hyrë në taborrin e njerëzve me vlera universale për kombin. Shpifjet e tipit kaq të ulët që edhe ai vet ndoshta nuk u beson, për gjoja veprimtarinë antikombëtare të Arbnit, madje të nivelit të vrasësit të Fehmi Aganit, mund t’i trillojë vetëm një njeri pa asnjë ndjenjë njerëzore, me të vetmin qëllim, promovimin e gjoja një intelektuali që paska pasur guximin ta ,,demaskojë”edhe figurën e Arbën Xhaferit, te ,,zbulojë “tradhëtinë e tij.

 

Ky shkrim paçavër i Xhevdet Hajredin Pashës, që aty këtu kinse bazohet edhe në fakte, kur mundohet të citojë ndonjë bisht citati të mendimit politik të Arbën Xhaferit, madje përmban edhe ,,fakte” historike kur flet për marrëdhëniet e Hasan Prishtinës me VMRO-në,që si duket,autori nuk i ka kuptuar mirē nga leksionet e Arbnit. Ky politikan ngucakeq që e ushtroi edhe detyrën e Ministrit të Financave në qeverisjen e PPD-ës, e që nuk financoi asnjë projekt shiptar, që mund të mbahej mend, merr guximin ta kritikojë qeverisjen ku bënte pjesë edhe PDSH-ja e Arbën Xhaferit dhe të gjithë ministrat e tij e tij,,,vrasësit ” e Fehmi Aganit, për tradhëti kombëtare, që në ,,bashkëpunim” me UDB-në dhe Sali Berishën e paskan eliminuar nga skena politike në Maqedoni PPD-ën !?, çudi e llojit të vet, edhe Sali Berisha, bashkëpunëtor i UDB-ës, po Edi Rama, me pjesën nga parathënia e të cilit e fillova këtë shkrim, është bashkëpunëtor i UDB-ës ?, gjithsesi se po sipas Xhevdetit, sepse ai e tregoi me argumente ngjashmërinë e bletës me Arbnin dhe të grenxës me politikanët e tipit të Xhevdet Hajredinit.

,,Tradhëtitë” e Arbërit sipas këtij shkrimi ,, mish mash”, paskan vazhduar edhe kundër UÇK-ës, pa e harruar faktin se pikërisht ai me deklaratat e tij, për asnjë moment nuk e nënçmoi këtë luftë, por pëkundrazi, e afirmoi ate para diplomatëve dhe politikanëve të lartë botëror, si të drejtë dhe të pastër,edhe në momente kur disa krerë udhëheqës të kēsaj lufte futën huti te vet luftëtarët dhe shqiptarët në pêrgjithësi,kur e lëshuan komunikatën se kjo luftë bëheshka pë ruajtjen e Maqedonisē. Ky qëndrim i paluhatshëm i Arbnit për kauzën e kësaj lufte, u pa edhe në këmbëngulësinë e tij për Marrëveshjen e Prizrenit, kur me gjithë presionet nga faktori i jashtëm,nuk hoqi dorë nga përcaktimi i tij i paluhatshëm.

Një brengë tjetër që e munduaka autorin e shkarravinës së botuar në portalin ,,Shqiptati.eu”qenkësh edhe emërtimi i Autostradës së Kosovës në drejtim të Maqedonisē, me emrin e Arbën Xhaferit e jo me atë të Akademikut, që gjithashtu do mbetet i pavdekshën për dien dhe politikën shqiptare,edhe pa e mbrojtur Xhevdet Hajredini. Emrin e profesorit dhe politikanit të madh, teoriticientit dhe mësuesit të politikës shqiptare, Akademik Fehmi Aganit, e mbajnë shumë institucione shqiptare, me emrin e tij do stolisen edhe ojekte tjera infrastrukturore e shkencore, por Xhevdeti sikletin më të madh do e ketë kur do udhëtojë nëpër Autostradën ,,Arbën Xhaferi. Ndoshta do gjejë ndonjë rrugë dytësore për t’i bishtnuar kompleksit të Arbër Xhaferit, ndoshta!