Stuhia tropikale Harvey ka shkaktuar 2 viktimat e para në Hjuston, ndërkohë që vijojnë operacionet e shpëtimit në zonat më të prekura. Autoritetet teksane kanë paralajmëruar se përmbytjet masive mbeten shqetësimi i tyre kryesor, teksa Harvey është zhvendosur tashmë në brendësi të shtetit të Teksasit.

Sipas meteorologëve, stuhia do të shuhet mesjavën e ardhshme. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot ka paralajmëruar se përmbytjet masive janë shqetësimi më i madh, teksa shirat e Stuhisë Tropikale Harvey vijojnë të godasin shtetin. Qytetet e Hjustonit dhe Rokportit janë mbuluar tashmë nga më se 50 cm shi, ndërkohë që pritet që ky nivel të rritet përpara se stuhia të shuhet në mesjavë.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga erërat e fuqishme dhe mijëra persona kanë mbetur tashmë pa energji elektrike. Deri më tani janë konfirmuar 2 viktima në zonën e Rokportit dhe Hjustonit, ndërkohë që janë shkaktuar edhe dëme të mëdha material.

Të paktën 18 persona raportohet të jenë shpëtuar nga Rojat Bregdetare. EFEKT Harvey filloi si një uragan i kategorisë katër përpara se të zbutej në një stuhi tropikale gjatë të shtunës.

Guvernatori Abbot e zgjeroi deklaratën e gjendjes së emergjencës në shtet, nga 30 në 50 qarqe. 1,800 ushtarakë janë mobilizuar për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe riparimit, ndërkohë që Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se shumë zona mund të mbeten të pabanuara për muaj të tërë për shkak të stuhisë. EFEKT Harvey tashmë është zhvendosur në brendësi të Teksasit, sipas zyrtarëve, por zonat bregdetare sërish pritet të përmbyten për shkak të dallgëve të larta.

Nga kjo stuhi kanë lindur të paktën 7 tornado në zonën e Hjustonit, sipas meteorologëve. Harvey është stuhia e parë madhore e sezonit të uraganëve të Atlantikut si dhe më e fuqishmja që godet Shtetet e Bashkuara në këto 13 vitet e fundit.

Sipas parashikimeve, Harvey pritet të kalojë në mbarë Teksasin juglindor deri të mërkurën.