UNICEF-i dhe Enti Shtetëror për Statistikë sot nënshkruan Marrëveshje për pjesëmarrje në njërën nga programet më të mëdha ndërkombëtare për hulumtim të amvisërive – seria e gjashtë e Hulumtimit klasterik multiindikator (MIKS).

Sipas UNECIF-it, kjo është hera e tretë që vendi të marrë pjesë në hulumtimin për grumbullim të të dhënave të nevojshme rreth gjendjes së fëmijëve dhe grave.

“Metodologjia rigoroze dhe më gjerë e shfrytëzuar e hulumtimit u mundëson vendeve që të grumbullojnë të dhëna gjithëpërfshirëse dhe krahasuese. Pjesëmarrja jonë edhe në një raund siguron bazë solide për ndjekje të progresit dhe identifikim të trendeve – si pozitive, ashtu edhe negative”, tha u.d. drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski.

E projektuar për plotësim të zbrazëtirave në të dhënat, raundi i gjashtë i MIKS-it kalon nëpër kontrolle rigoroze metodologjike dhe konfirmime për shkak të zgjerimit të përfshirjes dhe inkuadrimit të temave të reja të cilët do t’i pasqyrojnë indikatorët nga qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm (QZHQ) dhe çështjet e sapoparaqitura.

“Seria e re e MIKS-it është mundësi e vetme për grumbullim të të dhënave vëllimore dhe të ndara për shkak të ndjekjes së progresit të fëmijëve në sferën e shëndetit dhe ushqimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe arsimit. Me përmirësimet e reja, hulumtimi premton se do të sigurojë kontroll të vlefshëm në sfera të reja si transferet sociale, aftësi themelore të mësimit (tek fëmijët të moshës nga 7 deri në 14 vjeç), funksionim të fëmijëve dhe të rriturve, status migrues, përdorim të derivateve të pastra dhe teknologjisë, dhe viktimizim”, tha përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.

Me Marrëveshjen e nënshkruar nga partnerët parashikohet që Enti Shtetëror për Statistikë ta zbatojë hulumtimin me ndihmë të metodologjisë dhe veglave globale, me mbështetje teknike dhe ndihmë financiare nga UNICEF-i dhe partnerët. Pritet që të dhënat të grumbullohen në vjeshtë të vitit 2018, në rreth 6000 amvisëri nëpër vend.

Hulumtimi klasterik multiindikator (MIKS) është program hulumtues ndërkombëtar i zhvilluar nga UNICEF-i në bashkëpunim me agjencitë e tjera të KB-së, ndërsa zbatohet në çdo pesë vjet nëpër gjithë botën që të sigurohet krahasim dhe vazhdimësi ndërkombëtare e hulumtimit, si dhe të dhëna në seri kohore. Nga fillimi i MIKS-it në vitin 1990, janë zbatuar mbi 300 hulumtime në më shumë se 100 vende. Si pjesë e përpjekjeve globale për zhvillim të mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare për gjenerim dhe analizë të të dhënave me cilësi të lartë dhe të zbërthyera në tetor të vitit 2016, UNICEF-i e filloi raundin e gjashtë të MIKS – i përpiluar në mënyrë speciale për përmbushje të nevojave të krijuesve të politikave në erën e Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm (QZHQ).

Vendi mori pjesë në raundin e tretë dhe të katër të MIKS-it, në vitin 2006 dhe 2011. Të dhënat nga këto hulumtime kontribuuan drejt përpunimit të politikave, planeve dhe programeve kombëtare drejt ndjekjes së avancimit të fëmijëve dhe grave.