Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic, dhe ai i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, takohen në Nish të Serbisë, në përpjekje për zgjidhjen e çështjeve kontestuese ndërmjet dy vendeve fqinje, pas tensioneve diplomatike, që kanë ndikuar që Beogradi, papritmas, e ka tërhequr personelin diplomatik nga Ambasada e Serbisë në Shkup.

Marrëveshja për takimin e sotëm u arrit gjatë një bisede telefonike të dy ministrave.

Pas kësaj bisede, Ministria e jashtme e Serbisë ka njoftuar se të dy palët “do t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura nëpërmjet dialogut me synim të përmirësimit të raporteve miqësore ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve”, raporton Europa e Lirë.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur raporte se disa pjesëtarë të personelit të Ambasadës së Serbisë në Shkup kanë filluar të kthehen.