Kanë ngelur edhe dy fshatra në luftën kundër grupit Maute të lidhur me organizatën terroriste DEASH në Marawi të Filipineve, pasi ofensiva kundër grupit hyri në ditën e 71-të të saj, tha ushtria sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi ushtarak Restituto Padilla ka thënë se ushtria po punon për të konfirmuar raportimet se udhëheqësi i grupit terrorist, Abdullah Maute, është vrarë.

Padilla më parë ka theksuar se udhëheqësi i grupit Abu Sayyaf, Isnilon Hapilon, emiri i emëruar nga DEASH në Azinë Juglindore, mund të ketë shpëtuar nga përleshjet në Marawi dhe se vëllai i Abdullahut, Omar, mund të ketë vdekur.

Të hënën, gazeta “The Philippine Star” raportoi se ushtarët kanë kapur një urë kyçe që çon në pozicionin kryesor të grupit.

Sipas raportimit, forcat qeveritare tani kanë kontrollin e urës Mapandi që çon në distriktin qendror të Marawit, ku rreth 40 militantë të mbetur mendohet se mbajnë peng 80 deri në 100 persona, kryesisht në një xhami të madhe.

Padilla ka thënë se ushtria ka qasje të drejtpërdrejtë në pikën zero, duke iu referuar urës mbi lumin Agus të Marawit që tani mund të përdoret për të transportuar trupa dhe për të luftuar kundër furnizimeve. “Objektivi ynë kryesor është të shpëtojmë pengjet”, u citua të ketë thënë ai.

Sipas zëdhënëses së komandës perëndimore në Mindanao, Jo-Ann Petinglay, numri i terroristëve Maute që luftojnë kundër trupave qeveritare është reduktuar në rreth 70.

Të paktën 114 trupa kanë vdekur që kur luftimet filluan më 23 maj, tha ajo, duke shtuar se shumica e tyre janë vrarë nga bomba të vendosura nga militantët Maute në ndërtesa dhe shtëpi.

Presidenti i vendit, Rodrigo Duterte, u detyrua të deklarojë ligjin ushtarak në Mindanao pasi grupi vendosi rrethim në Marawi. Luftimet gjithashtu kanë marrë jetën e dhjetëra civilëve, ndërkohë që janë vrarë edhe qindra militantë.

Autoritetet thonë se kriza ka zhvendosur më shumë se 104.000 familje, të cilat jetojnë në më shumë se 70 qendra evakuimi në të gjithë Marawin.