Presidenti Donald Trump ka nënshkruar projektligjin i cili parashikon sanksione ndaj Rusisë, Koresë së Veriut dhe Iranit. Lajmi u bë me dije nga Shtëpia e Bardhë.

Ligjëvënesit amerikanë e kanë miratuar projektligjin i cili targeton kompanitë ruse të energjisë, dhe sipas së cilit presidenti Trump duhet të kërkojë aprovimin e Kongresit, në mënyrë që të lehtësojë sanksionet kundër Moskës.

Sanksionet u ndërmorën për shkak të ndërhyrjes së pretenduar në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Presidenti rus, Vladimir Putin është përgjigjur ashpër ndaj miratimit të legjislacionit nga ana e Kongresit, para se presidenti Trump ta nënshkruante atë, duke udhëruar që Uashingtoni ta zvogëlojë stafin diplomatik në Rusi.

Kjo përgjigje nga Rusia ka përshkallëzuar tensionet me SHBA-në, të cilat edhe ashtu kanë qenë të ngritura për shkak të agresonit rus në Ukrainë, rolit të saj në Siri dhe ndërhyjes së supozuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Kremlini e ka cilësuar legjislacionin si “agresion ekstrem” dhe ka akuzuar Uashingtonin  se po tenton të izolojë Rusinë.

Ligjëvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, pasi sipas tyre i njëjëti ishte shumë i dëmshëm për kompanitë evropianë që punojnë në projektin e gazsjellësit me Rusinë.

Ministrja e Ekonomisë në Gjermani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian t’i luftojë sanksionet e reja të SHBA-së, duke thënë se ato do të pengonin edhe vendet perëndimore në fushën e biznesit.