Këto janë pamjet e publikuara nga mediat italiane të operacionit “Triton” gjatë të cilit Guardia Di Finanza arrestoi dy trafikantë shqiptarë dhe sekuestroi 2.2 ton hashash. Siç shihet edhe në pamjet filmike trafikantët gjatë ndjekjes disa orëshe kanë hedur drogën në det, me qëllim që të lehtësonin gomonen. Megjithatë nuk mundën t’i shmangen arrestimit. Pas 5 orësh ndjekje dy shqiptarët me iniciale B.B 42 vjeç dhe J.H 31 vjeç, që të dy nga Vlora, u prangosën në Vieste, pranë Foggias. Guardia Di Finanza mblodhi në det 110 pako me drogë, me peshë totale 2.261 kilogram.

Përllogaritet që kjo sasi do t’u sillte 20 milionë euro të ardhura trafikantëve, nëse do të ishte hedhur në treg. Hapësira detare mes Shqipërisë dhe Italisë, nga mediat italiane konsiderohet prej kohësh si “autostrada detare e drogës”. Mbrëmjen e së premtes, një gomone që po transportonte rreth 2.2 ton drogë u kap në det në ujëra ndërkombëtare, gjatë një Operacioni të përbashkët antidrogë te policive të Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, me mbështetjen ajrore të Frontex. Autoritetet italiane po bashkëpunojnë me policinë shqiptare për të zbuluar organizatorët e trafikut.